Lidhje

Votuesit francezë zgjedhin Presidentin e tyre të djelën


Votuesit francezë shkojnë në qendrat e votimit këtë të djelë për të zgjedhur presidentin e ri të vendit. Ata do të zgjedhin mes ish ministrit të Brendëshëm, konservatorit, Nicolas Sarkozy, dhe kandidates së Partisë Socialiste, Segolene Ruajal, e cila po konkuron të bëhet presidentja e parë grua e Francës. Ekonomia apatike e Francës dhe gjendja në qytetet e vendit kanë qënë temat dominuese të fushatës.

Në qoftë se sondazhet e opinionit janë të sakta, Nicolas Sarkozy është pothuajse gati të bëhet Presidenti i ardhëshëm i Francës. Si kandidat i partisë konservatore në pushtet ai ka treguar vetbesim në manifestimet me pjesëmarrje të gjerë në fazat e fundit të fushatës. Edhe pasi u akuazua nga kundërshtarët e tij si tepër i djathtë, i nxituar, me temperament dhe madje edhe i rrezikshëm për të qeverisur vendin, Sarkozy u ka thënë votuesve se ka patur një përvojë mbresëlënëse nga fushata.

“Unë dua të jem kandidati i popullit dhe jo i medias apo i burokratëve, por as edhe i grupeve me interesa të posaçme. Unë dua të jem kandidat i popullit sepse gjatë disa muajve të fundit, unë kam parë se si jetojnë njerëzit, si ndjehen ata dhe cilat janë vështirësitë e tyre”.

Në ditët e fundit të fushatës, Sarkozy ka paraqitur një imazh më të butë të vetvetes tek votuesit se sa më parë.

Dy vjet më parë, ai ishte ministër i Brendëshëm, kur në Francë pati trazira për 10 ditë me radhë në disa qytete të vendit. Francezët me prejardhje imigrantësh protestuan kundër kushteve të tyre të jetesës dhe mungesës së mundësive. Qeveria franceze shpalli gjendjen e jashtëzakonëshme për t’i vënë trazirat nën kontroll.

Sot lagjet e qyteteve janë të qeta, por banorët e tyre nuk kanë harruar se Sarkozy i përshkroi protestuesit si “fundërrina”. Mac-West Hot është shtetas francez, prindërit e të cilit kanë lindur në Kamerun.

“Ai nuk ka bërë kurrë ndonjë gjë të mirë, dhe për mendimin tim ai është manipulator, që përpiqet për pushtet. Mendoj se kjo është ambicja e tij personale”.

Prandaj edhe një numër i madh votuesish në qytete pritet të votojnë për socialisten, Segolene Royal. Sarkozy e ka karakterizuar atë si radikale të së majtës të viteve 60-të. Por në për pjekjen e saj për t’u bërë presidente, zonja Royal e portretizon veten ndryshe.

“Në Francës që unë ëndërroj, ka vend për të gjithë. Askush nuk do të përjashtohet”.

Mesazhi i zonjës Royal është i përqendruar tek ekonomia. Ai është zotuar se do të ngrejë rrogën minimale, do të ngrejë pensionet dhe do të modernizojë Francën, duke patur parasysh nevojat e popullit. Zoti Sarkozy ka premtuar gjatë fushatës të zhdukë papunësinë në Francë, duke ndihmuar njerëzit të dalin nga varfëria, gjë që nuk është e vështirë në një vend ku shkalla e papunësisë nuk ka rënë nën tetë përqind për 25 vjet.

Christine Ockrent është një nga komentatorët politikë kryesorë në Francë dhe do të mbulojë natën e zgjedhjeve në televizionin francez.

“Francezët duan të mendojnë se po përpiqen për ndryshime, por nga ana tjetër ata kanë frikë nga ndryshimet. Pikërisht si gjithë të tjetër. Ky është një vend me një popull të çuditshëm, një popull i kënaqur me jetën e tij, por tepër pesimist për të ardhmen”.

Të dy kandidatët po konkurojnë për votat me shumë rëndësi të centristëve që mund të ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve dhe të dy janë zotuar për ndryshime në Francë, si dhe për rolin e vendit në botën e globalizuar. Por vetëm një prej tyre do ta ketë këtë shans, pas numërimit të votave të djelën në mbrëmje. //iç//

XS
SM
MD
LG