Lidhje

Shkencëtarë nga Kosova në konferencën Biologjia Eksperimentale


Mbi 10 mijë shkencëtarë biologë nga mbarë bota u mblodhën në Uashington për konferencën e 16 vjetore të Biologjisë Eksperimentale, që u zhvillua nga data 28 prill deri më 2 maj në kryeqytetin amerikan. Ky takim vjetor shërbeu si një rast për shkencëtarë nga fusha të ndryshme të shkencës, mjeksësi e biologjisë e teknologjisë të takohen për të shkëmbyer përvojën dhe për të krahasuar rezultatet e punës së tyre kërkimore. Mes pjesmarrësve ndodheshin edhe dy shkencëtarë biologë të njohur nga Kosova, profesorët Muharrem JakupI dhe Isa Elezaj.

Pjesmarrësit në këtë takim masiv të shkencëtarëve nga mbarë bota thonë se konferenca të tilla janë vende ku teoria ballafaqohet me praktikën; shkencëtarët e laboratorëve takohen me mjekët e klinikave. Laborantët kërkojnë të mësojnë se çfarë vlerash praktike kanë dhënë rezultatet e kërkimeve të tyre, ndërsa mjekët e spitaleve vijnë të për parë se cilat janë zbulimet e fundit në fushën e biologjisë. Profesor Muharrem Jakupi, pranë univeristetit të Prishtinës thotë se vlerat e konferencave të tilla janë të jashtëzakonëshme, veçanërisht për shkencëtarë nga vendet si Kosova. Profesor Jakupi erdhi në këtë konferencë edhe për të paraqitur rezultatet e punës së tij kërkimore. Studimi i tij lidhet me çështjen e ndryshimeve kimike e biologjike që sjell alkoholi në organizmin e njeriut dhe sa ndikon niveli i tij në pasojat e përdorimit të tepruar të alkoholit, që profesor Jakupi thotë se përbën një dukuri shqetësuese në shoqëritë ballkanike.

Profesor Jakupi i sheh përparimet shoqërore me syrin e një shkencëtarit Ai thotë se biologjia shpesh nuk trajtohet si baza e mjekësisë, pra laboratoret ndeshen me mungesë fondesh në fushën e kërkimeve dhe të përgatitjes profesionale veçanërisht të shkencëtarëve nga radhët e brezit të tij.

Ndërsa profesor Isa Elezaj solli në konferencë punën e përbashkët të 4 ekipeve kërkuesish kosovarë, mes të cilëvë atë që lidhet me çështjen e ndotjes së metaleve të rënda në aspektin gjenetik. Por çështja që e ka shqetësuar prej kohësh profesor Elezaj është ajo e mbetjeve nga uraniumi i varfëruar, si pasojë e bombardimeve gjatë luftës në Kosovë.

Profesor Elezaj dhe Jakupi thonë se shkenca kosovare është në gjendje të japë një ndihmesë më të madhe në përparimet shoqërore duke u kujdesur për shëndetin a përmirësimin e shëndetit të njerëzve. Por ajo ka nevojë në radhë të parë për përkrahje dhe fonde nga ana e ministrive përkatëse. Një rol të rëndësishëm, thonë shkencëtarët nga Kosova, luajnë edhe shkëmbimet e përvojës dhe rezultateve jo vetëm në konferenca të tilla ndërkombëtare por edhe në nivel rajonal përfshi shkëmbimet e përvojës dhe eksperizës me shkencëtarë dhe institucione shkencore nga Shqipëria, e cila në këtë konferencë duket se nuk kishte dërguar ndonjë përfaqësues.

Shkencëtarët kosovarë thonë se bashkëpunit Kosovë-Shqipëri në fushën shkencore biologjike viteve të fundit nuk i është kushtuar shumë rëndësi. Kjo ndoshta edhe si pasojë e zhvillimeve të vrullëshme në të dy vendet, që e kanë bërë vemendjen të përqëndrohet më tepër në çështje politike e shoqërore apo shtet formuese.

XS
SM
MD
LG