Lidhje

Iraq: 16 të vrarë dhe 70 të plagosur


Policia në Irak tha se një autobombë vrau sot të paktën 16 persona në një treg në qytetin shiit të Kufas. Ata thanë se shpërthimi plagosi 70 të tjerë.

Në zhvillime të tjera, policia ka zbuluar 30 trupa në Bagdat që nga dita e djeshme. Një grup i lidhur me Al-Kaidën ka marrë përgjegjësinë për sulmin e së djelës ku u vranë gjashtë ushtarë amerikanë dhe një gazetar rus.

Shteti Islamik i Irakut tha dje se ishte pas shpërthimit me bombë të makinës së ushtarëve dhe gazetarit në provincën Dijala në veri të Bagdatit.

Ndërkohë, Departamenti amerikan i Mbrojtjes tha se ka njoftuar 35 mijë trupa që të përgatiten për t’u dislokuar në Irak që në muajin gusht.

Zëdhënësi i Pentagonit tha se forcat shtesë do t’i lejojnë komandantët të ruajnë numrin e lartë të trupave në Irak deri në fund të vitit nëse kërkohet. Në fillim të këtij viti, Presidenti Bush urdhëroi dërgimin e 30 mijë trupave amerikane shtesë në Irak për forcimin e operacioneve të sigurisë.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë thonë se komandantët në terren do të përcaktojnë në shtator nëse operacioni ka patur apo jo sukses dhe nëse duhet të vazhdojë. //ze//

XS
SM
MD
LG