Lidhje

Kryeministri britanik do të japë dorëheqjen më 27 qershor


Kryeministri britanik Toni Bler tha se do të paraqesë dorëheqjen më 27 qershor, pas 10 vjetësh në krye të partisë Laburiste dhe si kryeministër.

Ai e njoftoi datën në një fjalim sot drejtuar përkrahësve të Partisë Laburiste në zonën e tij elektorale të Sedgefield-it në verilindje të Anglisë.

Kryeministri Bler i njoftoi më parë ministrat e tij të lartë për datën e largimit. Pasuesi i tij i mundshëm, ministri i financave Gordon Braun, vlerësoi atë që e quajti udhëheqje unike të zotit Bler.

Zoti Bler u bë kryeministër i Britanisë në vitin 1997 pas një sundimi 20 vjeçar të konservatorëve në Britani. Ai është vlerësuar për rigjallërimin e ekonomisë britanike dhe drejtimin e partisë laburiste në tre fitore në zgjedhje.

Por lufta në Irak dhe një skandal politik e kanë dëmtuar popullaritetin e zotit Bler.

54-vjeçari Bler e kishte lënë fjalimin e shumëpritur për ta mbajtur pikërisht në këtë zonë ku ai u zgjodh si deputet i parlamentit në vitin 1983 dhe ku një vit më pas shpalli kandidaturën si udhëheqës i Partisë Laburiste.

Që nga ajo kohë, ai ka qenë njëri nga udhëheqësit më të lavdëruar e njëkohësisht më të përbuzur në historinë britanike – njeriu që transformoi Partinë Laburiste, ndihmoi t’i jepej zgjidhje problemit të Irlandës së Veriut por që edhe zemëroi shumë nga mbështetësit si dhe publikun britanik duke e angazhuar vendin në luftën e Irakut.

Duke folur për 10 vjetët e tij në pushtet, zoti Bler u kërkoi përkrahësve të reflektonin për jetën e tyre sot krahasuar me vitin 1997.

“Mendoni për standardin tuaj të jetesës në maj të 97-s dhe tani”, tha ai.

Në fjalim, ai foli për politikën e tij të jashtëme dhe tha se shumë herë i është dashur të veprojë duke ndjekur instinktet e veta.

“Për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë, unë mora vendimin që vendi ynë të bëhej një vend që do të ndërhynte dhe nuk do të rrinte duarkryq,” tha zoti Bler.

Ai foli pastaj për sulmet e 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara, të cilat i quajti “krejt të paparishikuara dhe dramatike”. Zoti Bler tha se ishte e drejtë që të qendronte në krah të aleatit më të vjetër. E bëra këtë sepse kisha besim, tha ai. Po kështu me Afganistanin, pastaj me Irakun, i cili u kthye në një çështje tepër polemike”, shtoi zoti Bler.

“Heqja e Saddamit dhe e djemve të tij nga pushteti, ashtu si edhe e Talebanit, u bë relativisht lehtë. Por goditja që erdhi më pas, duke përfshirë terrorizmin global dhe elementët që mbështesin atë, ka qenë e ashpër dhe e kushtueshme. Për shumë njerëz ajo nuk ja vlente. Por për mua, mendoj se duhet ta çojmë deri në fund,” theksoi zoti Bler.

Ministri i Financave, Gordon Braun, partner i zotit Bler në reformimin e Partisë Laburiste dhe herë herë rival i papërmbajtur në qeverisje, pritet të zgjidhet me me lehtësi si udhëheqës i ri i partisë dhe të bëhet kryeministër.

Zoti Bler nuk e ka shprehur hapur mbështetjen për zotin Braun, i cili shihet si një skocez i ashpër, por i sigurt që e ka lakmuar prej kohësh postin e kryeministrit.

Javën e kaluar, zoti Bler tha se Gordon Brauni do të ishte “një kryeministër i shkëlqyer”.

Në fund të fjalimit, zoti Bler u tha të pranishmëve dhe miliona njerëzve që e ndiqnin në televizion apo në radio se “e kishte patur për nder të shërbente në këtë post.

“Të falenderoj ty, popull britanik, për ato periudha kur pata sukses dhe të kërkoj falje për ato herë që nuk ia dola mbanë. Sidoqoftë, paçi fat". //ze//

XS
SM
MD
LG