Lidhje

Trashëgimia e Presidentit francez Zhak Shirak


Presidenti francez Zhak Shirak largohet nga posti i tij më 17 maj, duke i lënë stafetën politikanit të qëndrës së djathtë Nikolas Sarkozi i cili fitoi ndaj socialistes Segolene Royal. Në vazhdim, një vështrim mbi karrierën politike dhe trashgimisë që lë pas presidenti Shirac.

74 vjeçari i qëndrës së djathtë Zhak Shirak ka qënë një forcë e madhe në politikën franceze për më shumë se katër dekada. I frymëzuar nga gjenerali Çarls dë Gol për të hyrë në politikë, ai u zgjodh në mesin e viteve 1960 në Asamblenë Kombëtare nga zona elektorale rurale e Korezës. Ai hyri për herë të parë në qeveri në vitin 1967, në kabinetin e kryeministrit të atëhershëm Zhorzh Pampidu. Zoti Shirak u zgjodh kryeministër dy herë; një herë për një periudhë dy vjeçare nën presidentin Valeri Zhisar d’Estë dhe më pas në kohën e presidentit socialist Fransua Miterran.

Këto ishin vite jo të lehta të të ashtuquajturës bashkëjetesë midis një presidenti të qëndrës së majtë dhe një kryeministri të qëndrës së djathtë. Ky eksperiment zgjati po dy vjet. Zoti Shirak ishte gjithashtu kryetari i bashkisë së Parisit për 18 vjet, nga viti 1977 deri në vitin 1995. Gjatë asaj periudhe emri i tij u lidh me një skandal korrupsioni që përfshinte financimin e partisë dhe shpenzime personale. Por ai nuk u akuzua asnjëherë për ndonjë shkelje.

Në përpjekjen e tretë për postin e presidentit, ai u zgjodh në postin më të lartë të Francës në vitin 1995 dhe u rizgjodh në vitin 2002. Ai nuk e vuri kandidaturën për një mandat të tretë dhe pas zgjedhjes së presidentit të ri Nichola Sarkozi, një tjetër politikan i qëndrës së djathtë do të vijë në Pallatin Elize më 17 maj.

Çarles Kupçan, një ekspert për Evropën me Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë thotë se fitorja e zotit Sarkozi shënon fundin e brezit të politikanëve të Luftës së Dytë Botërore në udhëheqjen franceze. "Udhëheqësit e deritanishëm francezë, qofshin neo-Golistët si Shiraku apo socialistë si Miterani kishin prirjen të mbanin mburojën e Golizmit, që ishte për një rol të fuqishëm francez në botë, një Evropë të fortë që mund të përballej me Shtetet e Bashkuara," thotë analisti.

Në politikën e jashtme, ekspertët thonë se zoti Shirak do të mbahet mend për kundërshtimin e tij të fortë ndaj ndërhyrjes amerikane në Irak në mars të vitit 2003. Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Parisit vazhdojnë të jenë të tendosura si rezultat i pikëpamjeve të ndryshme mbi Irakun. Por analistët thonë se Sarkozi, një pro-amerikan i hapur, do të fillojë të forcojë lidhjet midis aleatëve të vjetër.

Në Lindjen e Mesme, zoti Shirak u përpoq të rivendoste ndikimin francez, veçanërisht në Siri dhe Liban, ish koloni franceze. Dhe në Afrikë, ai u përpoq të ndryshonte marrëdhëniet me ish territoret franceze. Simon Serfati, ekspert për Evropën në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare thotë se gjatë gjithë jetës së tij politike, zoti Shirak mbajti qëndrime kurajoze. "Për shembull, brenda pak muajsh nga zgjedhja e tij, ai pranoi përgjegjësinë e Francës gjatë Luftës së Dytë Botërore për pjesëmarrje në persekutimin e popullatës hebraike dhe kërkoi për këtë falje kombëtare. Ai është një njeri që kundërshtoi të shkonte në Afrikën e Jugut derisa u zhduk aparteidi," thotë zoti Sefarti.

Analistët thonë se e meta më e madhe e zotit Shirak në politikën e jashtme ndodhi në vitin 2005 kur nuk mundi të bindë francezët për të votuar në favor të kushtetutës për Evropën. Dhe në frontin e brendshëm gjatë gjithë presidencës së tij zoti Shirak nuk mundi të realizojë plotësisht reformat ekonomike dhe sociale.

Çarles Kupçan thotë se megjithë këto hapa prapa, arritjet e zotit Shirak janë ndoshta më të dukshme nga sa vlerësohet. "Në disa mënyra ai ka qënë një president pa pushtet që kur u dha vota JO për kushtetutën. Dhe atëherë qeveria e tij pati një krizë kur kryeministri Dominik dë Villpë, u mundua të zbatonte një ligj të ri pune dhe njerëzit dolën në rrugë për ta bllokuar atë. Por në përgjithësi në dekadën e fundit ai e drejtoi politikën franceze mirë. Qëndrimi i tij mbi Irakun doli se ishte më i vërtetë sesa pozicionet e përkrahësve të luftës. Ekonomia franceze edhe pse ka qënë apatike me një papunësi që kap shifrat 10 përqind, u përmirësua disi nën udhëheqjen e tij. Kështu që do të thosha se edhe pse reputacioni i tij tani për tani është i dobët, ai pati një karrierë e suksesshme," thotë zoti Kupçan.

Shumë analistë thonë se presidenti i ri francez Sarkozi do të përqëndrohet pikë së pari në shqetësimet e brendëshme: reformat ekonomike dhe sociale. Vetëm pasi të zgjidhë ato, ai do ta kthejë vëmendjen nga marrëdhëniet ndërkombëtare, që sipas fjalëve të një analisti, pothuajse u injoruan gjatë fushatën presidenciale. //ad//

XS
SM
MD
LG