Lidhje

Rajs: I kuptoj shqetësimet që rusët kanë për Kosovën, sidomos për pakicën serbe


Shtetet e Bashkuara dhe Rusia ranë dakord të ulin retorikat diplomatike, por nuk bënë përparim të dukshëm për të sheshuar dy mosmarrëveshje të mëdha në fushën e sigurimit në bisedimet e nivelit të lartë.

Marrëveshja u arrit të martën në një takim midis presidentit Vladimir Putin dhe Sekretares amerikane të Shtetit Condoleezza Rice në periferi të Moskës.

Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov konfirmoi arritjen e marrëveshjes, por ai tha se presidenti Putin përsëriti kundërshtimin e Rusisë ndaj planit Ahtisari, që i jep Kosovës pavarësi të mbikqyrur.

Duke komentuar pas bisedimeve, Sekretarja Rajs tha se kishte patur një bisedë të mirë me Presidentin Putin. Ajo tha se i kupton shqetësimet që rusët kanë për Kosovën, sidomos për pakicën serbe dhe "për atë që disa e shohin si mundësi për krijimin e një precedenti nga pavarësia e Kosovës."

Ne, tha zonja Rajs, do të përpiqemi t’i trajtojmë këto çështje në rezolutën e Këshillit të Sigurimit. Por më në fund ka ardhur koha, tha ajo, që të bëjmë “de jure” atë që ekziston tashmë “de fakto” dhe këtë argument ia paraqita Presidentit Putin. Çështja është, tha sekretarja amerikane e shtetit, që të gjendet një mënyrë për të zgjidhur shqetësimet e tyre duke bërë të mundur njëkohësisht që të ecet përpara.

E pyetur nëse Moska mund të përdorë veton në Këshillin e Sigurimit, zonja Rajs tha se nuk dëshironte të fliste në emër të Rusisë për të thënë se çfarë do të bëjë ajo. Por, theksoi zonja Rajs, duhet thënë se ne ende jemi duke biseduar dhe vazhdojmë të përpiqemi të zgjidhim shqetësimet reale. Nuk mund t’ju them se çfarë do të bëjë Rusia më në fund, u deklaroi zonja Rajs gazetarëve.

Gjithashtu, gatë takimit nuk u arrit ndonjë zbutje në publik e qëndrimit të Moskës kundër planeve të Shteteve të Bashkuara për të dislokuar interceptorë raketash në Evropë.

Sekretarja Rajs tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë që kundërshtimet e Rusisë ndaj dislokimit të raketave të bllokojnë interesat amerikane të sigurimit.

XS
SM
MD
LG