Lidhje

16 të vrarë në luftimet mes fraksioneve palestineze në Gaza


Zyrtarët palestinezë të sigurimit thanë se 16 persona janë vrarë në ditën e katërt të përleshjeve midis fraksioneve Hamas dhe Fatah në Rripin e Gazës.

Hamasi bëri thirrje për armëpushim pas përplasjeve të sotme – përpjekja e katërt brenda katër ditësh për t’u dhënë fund luftimeve. Pak më vonë, edhe presidenti palestinez Mahmud Abas i Fatahut bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm.

Më parë, persona të armatosur të Hamasit vranë gjashtë oficerë të Fatahut kur hynë në shtëpinë e një zyrtari të lartë të Fatahut në qytetin e Gazës. Disa orë më vonë, luftëtarët e Hamasit sulmuan policët e Fatahut në një makinë që po çonte pesë persona të Hamasit në një qendër paraburgimi.

Të pestë ata u vranë së bashku me dy anëtarë të Fatahut. Në zhvillime të tjera, palestinezët thanë se një sulm ajror izraelit kundër një pozicioni të Hamasit në Gazë shkaktoi vdekjen e katër personave. Hamasi ka hedhur dhjetra raketa në Izrael që nga dita e djeshme duke shkaktuar plagosje por jo viktima në njerëz.

Kryeministri izraelit Ehud Olmert tha se Izraeli nuk mund të vazhdojë të vetpërmbahet. //iç//

XS
SM
MD
LG