Lidhje

Ohër: Konferencë për personat e zhdukur nga lufta në Kosovë


Në Ohër përfundoi sot konferenca dy-ditore për personat e zhdukur, e organizuar nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur. Në konferencë morën pjesë familjarët e personave të zhdukur, shqiptarë dhe serbë të Kosovës, përfaqësuesit e komisioneve qeveritare për të zhdukurit të Prishtinës dhe Beogradit, dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë. Konferenca u mbyll me konkluzionin kryesor se paqja mund të arrihet vetëm përmes drejtësisë.

Konferenca dy-ditore e Ohrit kushtuar çështjes së personave të zhdukur përfundoi sot me një numër konkluzionesh, të cilat do tu jepen qeverive dhe organizmave ndërkombëtare.

Në konkluzionet e konferencës kërkohet që gjithë informacioni për çështjen e personave të zhdukur që mbahet nga gjykata e Hagës, KFOR-I, UNMIK-u, ICMP-ja, Kryqi i Kuq dhe qeveria e Serbisë, që mund të ndihmojë në gjetjen e fatit të personave të zhdukur, të jepet dhe të konsolidohet.

Në konferencë u kërkua gjithashtu që të intensifikohet procesi i gërmimeve, zhvarrimeve dhe identifikimeve të personave të zhdukur, të hapen varrezat për të cilat dihet, të kërkohen varreza të tjera të mundshme, të hetohen akuzat për djegje të trupave si dhe të shqyrtohen rastet e identifikimeve të gabuara. Në konferencë u tha gjithashtu se duhet të vendoset bashkëpunimi me Malin e Zi, Maqedoninë dhe Shqipërinë në mënyrë që të lokalizohen dhe të zhvarrosen mbetjet mortore nga Kosova që mund të jenë në territoret e tyre.

Po kështu, bashkëpunimi midis shoqatave të familjarëve të personave të zhdukur, pavarësisht nga përkatësia etnike apo dicka tjetër, duhet të zhvillohet dhe të forcohet. Familjarët kanë kërkuar gjithashtu që të gjendet e vërteta për të gjithë personat e ndaluar ilegalisht dhe personat e zhdukur. Po kështu të gjithë organizmat relevantë duhet të punojnë dhe të intensifikojnë përpjekjet për hetimin dhe dënimin e autorëve të krimeve. Në përfundim të konferencës u tha gjithashtu se duhet të rritet përfshirja e publikut në proces.

Fjalia me të cilën u përmbyll konferenca dy-ditore e Ohrit për personat e zhdukur, e organizuar nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, me pjesëmarrjen e familjarëve të personave të zhdukur, shqiptarë dhe serbë të Kosovës, përfaqësuesit e komisioneve qeveritare për të zhdukurit të Prishtinës dhe Beogradit, dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, ishte: "Paqja mund të arrihet vetëm përmes drejtësisë". //rd//

XS
SM
MD
LG