Lidhje

Marrëdhëniet amerikano - ruse, Kosova dhe çështje të tjera


Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs, dhe Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ranë dakord për të zbutur retorikën dhe për të përmirësuar marrëdhëniet amerikano-ruse. Dy prej çështjeve më të debatueshme në këtë kohë tensionesh ishin sistemi mbrojtës nga raketat dhe statusi i ardhëshëm i Kosovës. Analistët politikë që ndjekin zhvillimet në Ballkan dhe marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë thonë se nuk do të bëhet kompromis për pavarësinë e mbikqyrur të Kosovës, por mbetet për t’u parë se në çfarë forme do të ralizohet ajo.

Siç doli edhe nga bisedimet e Sekretares së Shtetit, Kondoliza Rajs, me autoritetet ruse në Moskë, ata ranë dakord t’i zbutin tensionet dhe të ulin retorikën për një numër çështejsh, por ata nuk arritën t’i ngushtonin divergjencat për sistemin e mbrojtjes nga raketat dhe për Kosovën. Zonja Rajs tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin planin e Kombeve të Bashkuara për pavarësinë e Kosovës nga Serbia, ide të cilën Rusia e kundërshton, si një precendet për republikat ruse dhe ish sovjetike.

Stivën Majer, profesor në Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes thotë se është ironik fakti se si çësthjet ballkanike dhe në veçanti Kosova bëhen lojra politike të fuqive të mëdha. Popujt e Ballkanit e njohin mirë këtë histori. Faktori rus, thotë profesor Majer është forcuar si rezultat i të ardhurave nga nafta, ndërsa pozita e Shteteve të Bashkuara në Botë është dobësuar për shkak të luftës në Irak. Mes dy vendeve, thotë ai, kohët e fundit mosmarrëveshjet janë shtuar për një sërë çështjes dhe Rusia përpiqet të nxjerrë përfitime e saj. Mes dy vendeve thotë profesor Majer mund të bëhen kompromise, por jo për çështjen e Kosovës. Shtetet e Bashkuara, thotë ai, do t’i përmbahen projekt-rezolutës që i është paraqitur Këshillit të Sigurimit dhe Planit Ahtisari për pavarësi të mbrikqyrur.

“Për mendimin tim nuk do të ketë kompromis për çështjen e Kosovës, sepse është e vështirë që të bëhet kompromis me këtë situatë. Nuk mund të them konkretisht se çfarë, por Rusia do të kërkonte shumë nga Perëndimi dhe nga ne, që të mos i vinte veton rezolutës për Kosovën në Këshillin e Sigurimit. Siç po zhvillohen ngjarjet, unë nuk shikoj ndonjë gjë që ne mund t’i japim Rusisë”.

Profesor Majer thotë se me miratimin e projektrezolutës për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, një numër vendesh do ta njihnin pavarësinë e Kosovës, por ajo do të shërbente si precedent për ndarje të mëtejshme në rajonin e Ballkanit, veçanërisht në zonat ku ekzistojnë kufij mes grupeve etnike, siç është Republika Serbe e Bosnjes, Maqedonia Perëndimore, Lugina e Preshevës apo veriu i Mitrovicës. Në qoftë se Rusia i vë veton rezolutës, thotë profesor Majer, ka të ngjarë që Kosova të shpallë në mënyrë të njëanëshme pavarësinë, akt që do t’i vinte perëndimin dhe Shtetet e Bashkuara në një pozitë të vështirë, por nuk do të ishte keq për Beogradin dhe ndoshta në këtë rast do të lindte nevoja për kompromis.

Por Ras Xhonson, i Qendrës Udrou Uilson këtu në Uashtington thotë se me apo pa rezolutë të Këshillit të Sigurimit, pavarësia e Kosovës është e pashmangshme. Kosova, tha ai, nuk ka qënë nën qeverinë e Beogradit që nga viti 1999 dhe nuk do të kthehet më nën kontrollin e saj, askush nuk e mendon një gjë të tillë, ndoshta vetëm shumë pak njerëz në Serbi. Zoti Xhonson parashikon tri zhvillime të mundëshme në Këshillin e Sigurimit.

“Mund të arrihet në një rezolutë kompromisi që do të zbuste shqetësimet e Rusisë se Kosova mund të shërbejë si precedent për rajone të tjera të ish Bashkimit Sovjetik dhe të botës, që do të ishte e pranueshme nga të gjitha palët, pa e shpallur Kosovën të pavarur por që do të krijonte një platformë për ato vende që duan të njohin pavarësinë e mbikqyrur të Kosovës. Një mundësi e dytë është që të mos ketë rezolutë, ashtu siç ka propozuar Franca. Mundësia e tretë është që nëse rezoluta paraqitet dhe Rusia i vë veton, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore, si dhe mjaft vende të tjera të botës, do ta njohin në mënyrë të njëanëshme pavarësinë e mbikqyrur të Kosovës”.

Pavarësisht se çfarë do të ndodhë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, tha zoti Xhonson, pavarësia e Kosovës, e mbikqyrur nga Bashkimi Evropian është i vetmi variant realisht i mundshëm i zgjidhjes së kësaj çështjeje të mbetur pezull, dhe kjo zgjidhje nuk do të vonojë më shumë se dy muaj.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs, e shprehu përsëri në Moskë qendrimin amerikan duke theksuar se “më në fund ka ardhur koha që të bëhet “de jure” ajo që është “de fakto” në Kosovë.

XS
SM
MD
LG