Lidhje

Uilliam Langevishe flet për rrezikun e materialeve bërthamore


Uilliam Lange-vishe, autor i librit “Pazari Atomik”, thotë se në botën e sotme ekziston një treg i zi i materialeve bërthamore, por terroristët janë ende shumë larg asaj faze kur do të ishin në gjendje të prodhonin një bombë atomike. Zoti Lange-vishe është redaktor i çështjeve ndërkombëtare për revistën amerikane Vanity Fair. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai thotë se mundësitë që arma bërthamore të binte në duart e terroristëve janë minimale.

Zëri i Amerikës: Zoti Langewiesche, sa të ngjarë ka në botën e sotme që guerriljet terroriste të shtien në dorë materialet për ndërtimin e një bombe atomike?

William Langewiesche: Materiali më i rëndësishëm është lënda bërthamore dhe gjasat janë të vogla, është shumë e vështirë të bëhet. Është e mundur por shumë e vështirë.

Zëri i Amerikës: Ku do ta merrnin ata materialin bërthamor për të ndërtuar një bombë të tillë?

William Langewiesche: Për një bombë të thjeshtë atyre do t’u duhej të paktën 75 kilogram uranium me pasurim të lartë, nëse nuk mund të përdorin plutonium pasi ky është shumë i vështirë të manipulohet dhe shumë i rrezikshëm. Pra, atyre do t’u duhej të shkonin në vende ku ekziston uranium me pasurim të lartë, kryesisht në Rusi.

Zëri i Amerikës: Dhe ku konkretisht në Rusi? Dihet saktësisht se ku?

William Langewiesche: Po dihet. Kryesisht në disa qytete sekrete, të mbyllura për të huajt, në lindje të Uraleve si dhe në disa pika të tjera që ruhen mirë. Edhe vetë objektet bërthamore në këta qytete janë të ruajtura mirë. Qeveria amerikane ka marrë pjesë aktive në përpjekjet për të ndihmuar rusët që ky material të ruhet me kujdes. Ka patur një periudhë në fillim të viteve 90 kur këto objekte ishin pak më të ekspozuara ndaj rreziqeve por tani është shumë e vështirë që prej tyre të dalë material bërthamor, megjithatë kjo mundësi nuk përjashtohet.

Zëri i Amerikës: A ka raste të njohura në të cilat guerrilje terroriste të kenë qenë pranë materialit bërthamor të pasuruar për ndërtimin e një bombe?

William Langewiesche: Jo. Nuk ka patur raste të njohura të kësaj natyre. Në fakt dihet se në çdo rast kur materiali bërthamor është nxjerrë në tregun e zi – dhe të tillë ka patur shumë – fjala ka qenë ose për uranium me shkallë të ulët pasurimi ose për sasi minimale plutoniumi apo të uraniumit me pasurim të lartë por aspak të tilla që një grup terrorist të fillojë të mendojë për ndërtimin e një bombe. Kryesisht këto kanë qenë raste mashtrimi ose kur janë nxjerrë mostra materiali, por jo që sasi të mëdha uraniumi me pasurim të lartë të jenë shfaqur në tregun e zi. Por natyrisht, ne nuk e dimë atë që nuk dimë.

Zëri i Amerikës: Po njohuritë për ndërtimin e bombës? I kanë terroristët këto njohuri?

William Langewiesche: Po i kanë. Kjo nuk është e vështirë. Ka shumë ekspertë që janë të lidhur me grupe të tilla dhe ky është informacion publik. Po të kesh materialin, mund të ndërtosh një mekanizëm shpërthimi bërthamor. Mund të mos jetë shumë i mirë dhe nga ana tjetër, kjo do të ishte një bombë shumë voluminoze, pra nuk flitet për një mekanizëm të miniaturizuar dhe as për përdorim ushtarak. Por për ta bërë një bombë të thjeshtë duhen vetëm disa inxhinjerë me njohuri bërthamore dhe nga mekanika. Nuk është ndonjë problem i madh.

Zëri i Amerikës: Dëgjojmë të flitet shpesh për kontrabandën e drogës në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë Shqipërinë. Herë pas here policia njofton kapjen e sasive të mëdha të drogës që hyn ose del nga Ballkani. A ka rrezik, që këto vende, gjithnjë duke përfshirë edhe Shqipërinë, të bëhen një rrugë tranziti për kontrabandën e materialit bërthamor?

William Langewiesche: Duhet parë se cili do të ishte destinacioni i materialit bërthamor. Ky material në formën e tij të papërpunuar do të duhej të dërgohej kontrabandë në një punishte montimi. Pra, çështja që shtrohet është: nëse materiali do të futej kontrabandë në Shqipëri, ku do të dërgohej më pas? Dikush mund të argumentojë se materiali mund të dërgohej për t’u montuar për shembull në një qytet të Italisë, ku niveli i kontrollit mund të mos jetë dhe aq i lartë dhe ku mund të ketë shumë imigrantë që nuk bien në sy. Pra, është diçka e imagjinueshme që një sasi materiali bërthamor të transferohet përmes Shqipërisë si pjesë e trafikut të mallrave kontrabandë por mundësia më e madhe do të ishte që ai të dërgohet në një qytet jo-evropian për montim.

Zëri i Amerikës: Në Shtetet e Bashkuara ka patur shqetësime vitet e fundit se terroristët mund të fusin kontrabandë një bombë radioaktive ose bombë primitive siç quhet dhe ta shpërthejnë atë në një qytet të madh si Nju Jorku ose Uashingtoni. Sa janë gjasat që kjo të ndodhë?

William Langewiesche: Është tepër e lehtë të ndërtosh një bombë primitive me materiale radioaktive që gjenden pa vështirësi nëpër spitale pra nuk ka nevojë ta fusësh atë kontrabandë. Sepse kjo lloj bombe nuk bën gjë tjetër veçse shpërndan materialin radioaktiv. Kjo është më tepër një bombë që shkakton ndotje dhe ka më shumë efekt psikologjik dhe politik. Njerëzit nuk e kuptojnë që kjo është thjesht një bombë-shaka. Por nuk mund të presim që të gjithë njerëzit ta kuptojnë këtë. Shtrohet pyetja: meqenëse është aq e lehtë për t’u ndërtuar, pse nuk e ka bërë dikush deri më sot? Kësaj nuk mund t’i jap dot përgjigje.

Zëri i Amerikës: A keni menduar se Libri juaj “Pazari Atomik” mund të shërbejë si manual për terroristët pra që u tregon atyre se cilën rrugë duhet të ndjekin për të arritur qëllimin?

William Langewiesche: Jo. Sepse në libër unë flas për gjëra shumë elementare. Mund t’ju garantoj se çdo njeri ose çdo grup terrorist i interesuar për ta bërë këtë, është shumë më përpara se sa unë në njohuritë për këtë çështje, prandaj nuk ka nevojë të shqetësohemi. //rd//

XS
SM
MD
LG