Lidhje

FMN-ja inkurajon Shqipërinë të rritë mirëqënien për të gjithë


Fondi Monetar Ndërkombëtar nxiti sot Shqipërinë që të shfrytëzojë më mirë qëndrueshmërinë e vet makro-ekonomike si një mjet për të zbutur varfërinë dhe për të përmirësuar jetesën e popullatës.

Zëvendës-drejtori i përgjithshëm i FMN për menaxhimin, Murijo Portugal, i bëri këto komente gjatë një vizite në Tiranë, ku u përgatit edhe një marrëveshje e re bashkëpunimi me Shqipërinë deri në anëtarësimin e plot në Bashkimin Europian. "Shqipëria ka arritur një qëndrueshmëri të lartë në treguesit makro-ekonomikë. Por qëndrueshmëria makro-ekonomike nuk duhet të jetë një qëllim në vetvete, dhe ajo duhet përdorur si një mjet për të arritur një zhvillim më të lartë. Sfida kryesore është që të ruhet ritmi aktual i rritjes së shpejtë ekonomike, sepse kjo do të ndihmojë popullin që të ulë varfërinë, të ngrejë nivelin e jetesës, dhe të paraprijë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian" - tha zoti Portugal.

Ndërsa guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, tha se "ruajtja e stabilitetit makro-ekonomik të vendit do t'i japë mundësi Shqipërisë që të ketë një rritje ekonomike të qëndrueshme, dhe do t'i shtrojë rrugën kësaj ekonomie që të bëhet pjesë e ekonomisë europiane". FMN vlerësoi edhe në këtë mision kontrollin e inflacionit, qëndrueshmërinë makro-ekonomike të Shqipërisë dhe dyfishimin e të ardhurave për frymë. Sipas përfaqësuesit të saj, rritja e kreditimit po mbështet rritjen e ekonomisë dhe Shqipëria po bëhet tërheqëse për investimet e huaja. //rd//

XS
SM
MD
LG