Lidhje

Vazhdon debati mbi të dhënat e zbulimit para luftës në Irak


Ndërkohë që konflikti në Irak vazhdon, gjithashtu vazhdon edhe debati mbi informacinet sekrete të paraluftës, mbi të cilat u bazua administrata e presidentit Bush për të hyrë në luftë. Debati është rindezur edhe nga një libër biografik që ka shkruar ish-drejtori i Cia-s, Xhorxh Tenet. Një informacion kryesor i rremë u citua në mënyrë të përsëritur nga zyrtarët amerikanë, në mbështetje të ndërhyrjes ushtarake në Irak.

Në sportin amerikan të beizbollit, kërvboll quhet kur pas goditjes me shkop, topi pa pritur merr një trajektore në drejtim të gabuar. Pikërisht ky emër iu përshtat shumë informatorit irakian i cili u dha Shteteve të Bashkuara informacione të rreme mbi armët joekzistuese irakiane të shkatërrimit në masë. Informacioni se Sadam Huseni kishte laboratore të lëvisshme ku prodhoheshin armë biologjike, ishte një nga elementët kyçë ku u bazuan Shtetet e Bashkuara për ndërhyrjen në Irak. Kjo u përdor në fjalimet më kryesore, si fjalimi vjetor i presidentit Bush drejtuar vendit, në janar të vitit 2003, si dhe në paraqitjen e hollësishme që bëri ish-sekretari i shtetit, Kolin Pauell, në Këshillin e Sigurimit, më 5 shkurt, 2003.

Ka prova që zyrtarët e lartë të shërbimit sekret amerikan kishin dijeni se Kërvboll, i cili ishte në duart e shërbimit sekret gjerman, nuk ishte një burim i besueshëm informacioni. Leri Uilkërson, që në atë kohë ishte shefi i kabinetit të zotit Pauell, thotë se këto të dhëna mbi informatorin irakian nuk arritën kurrë deri në nivelin e lartë të drejtuesve amerikanë. Teilor Dramheller, kreu i divizionit evropian të Cia-s, thotë në një intervistë me Zërin e Amerikës, se shërbimi sekret gjerman, BND, u dha informacionet që jepte Kërvboll, por nuk u dha mundësinë që të merrej në pyetje nga Cia.

Identiteti i tij nuk është bërë publik, megjithëse ai është burimi i shumë spekulimeve dhe arsyeja për dhënien e informacioneve të rreme nuk është e qartë. Zoti Dramheller, thotë se në një drekë në Uashington, nga fundi i vitit 2002, homologu i tij gjerman e paralajmëroi atë për dyshimet mbi besueshmërinë e informatorit irakian dhe se informacioni ishte i dyshimtë. Zoti Dramheller thotë se i pasoi këto paralajmërime tek eprorët e tij të Cia-s.

Megjithatë ish-drejtori i Cia-s, Xhorxh Tenet dhe zëvendësi i tij, Xhon MekLaflin, thonë se nuk ishin në dijeni të dyshimeve mbi besueshmërinë e informatorit irakian. Në këtë mënyrë akuzat për ekzistencën e laboratorëve për prodhimin e armëve biologjike arritën deri në fjalimin e presidentit Bush drejtuar vendit në janar të vitit 2003.

“Ne kemi të dhëna nga 3 informatorë irakianë se nga fundi i viteve 1990, në Irak ka disa laboratorë të lëvisshëm armësh biologjike. Këta laboratorë mund të shpërngulen nga një vend në tjetrin duke shmangur inspektorët,” tha Presidenti Bush.

Pasi dëgjoi fjalimin e presidentit Bush, si dhe me fjalimin e planifikuar të zotit Pauëll në OKB, zoti Dramheller u takua me ish-zëvendës-drejtorin e Cia-s, MekLaflin, për t’i thënë se të dhënat e informatorit irakian nuk ishin të besueshme. I pyetur për takimin me Dramheller, zoti McLaflin i tha Zërit të Amerikës se takimi nuk ishte zhvilluar dhe se ai nuk kishte dëgjuar asnjë paralajmërim mbi informatorin irakian. Mohimi i tij shkaktoi një përgjigje të zemëruar nga zoti Dramheller.

“Ai nuk thotë të vërtetën. Ai është gënjeshtar dhe unë nuk kam respekt për të," u shpreh zoti Dramheller.

Komisioni i Senatit për shërbimin sekret, po përgatit fazën e dytë të raportit të tij mbi informacionin sekret të paraluftës që pritet të publikohet së shpejti. Tani që demokratët kontrollojnë Kongresin, punonjësit e komisionit thonë se ka mundësi të zhvillohen seance mbi këtë çështje dhe senatorët do të pyesin mbi informatorin irakian me emrin e koduar Kërvboll. //ad//

XS
SM
MD
LG