Lidhje

Çmimet rekord të karburantit nuk shkurajojnë udhëtimet e fundjavës


Fundjava që vjen shënon fillimin jo zyrtar të sezonit të pushimeve në Shtetet e Bashkuara që përkon edhe me festën federale të ditës së të rënëve. Gjatë sezonit të verës, shumica e amerikanëve shkojnë në pushime me makinat e tyre. Sivjet, çmimi i karburantit ka arritur nivelin më të lartë ndonjëherë. Çmimi mesatar i një galloni benzinë ose 3,7 litrave kap shifrën prej 3 dollarë e 22 cent.

Sipas një studimi të këtyre ditëve të shoqatës automobilistike, AAA edhe pse çmimi i karburantit është rritur vazhdimisht gjatë tre muajve të fundit, njerëzit përsëri do të udhëtojnë me makina këtë verë.

Sipas shoqatës AAA më shumë se 38 milion amerikanë ose 80 përqind e tyre do të udhëtojnë më shumë se 80 kilometra këtë fundjavë. Vetëm 11 përqind do udhëtojnë me aeroplan. Sandra Hughes është me klubin automobilistik AAA.

“Mesa duket çmimet e larta të karburantit nuk do të pengojnë njerëzit të udhëtojnë këtë fundjavë. Historikisht ne kemi gjetur se çmimet nuk kanë ndikuar tek pushimet e njerëzve.”

Industria e naftës thotë se janë zvogëluar rezervat në rafineritë amerikane. Një numër rafinerish, më shumë se zakonisht, janë mbyllur për shërbime në këtë pjesë të vitit. Ndaj tregtarët e energjitikës si Anthony Grisanti thonë se më vonë, pritet rënie çmimi.

"Rezervat janë të kufizuara. Nëse mund të plotësojmë kërkesat, do të arrijmë në pikën maksimale. Pra tregu do të marrë të gjitha rezervat që kemi.”

Por parashikimet e shtetit japin më shumë shpresa për mesin e verës. Guy Caruso është me Administratën Amerikane të Informacionit për Energjinë.

“Tregu i karburanteve mund të lehtësohet paksa duke çuar në uljen e çmimeve aktuale.”

Javën e kaluar në Çikago, disa njerëz zhvilluan një protesë në një pikëshitje karburanti, British Petroleum. Por ndërkohë që shoferët mund të krijojnë trazira rreth çmimeve të larta, duket se tani për tani ata do të vazhdojnë të blejnë karburant dhe të ngasin makinat. //ze//

XS
SM
MD
LG