Lidhje

Në Shqipëri korrupsioni në gjyqësor tepër i lartë


Një organizatë që mbikqyr korrupsionin në sistemin juridik thotë se ryshfetet dhe ndërhyrja e qarqeve politike minojnë të drejtat e qytetarëve dhe për këtë cilëson Rusinë dhe Argjentinën si vende me probleme veçanërisht shqetësuese.

Në një studim global, i publikuar sot, organizata Transparency International thotë se presioni ndaj gjykatave për të favorizuar interesat politike është ende intensiv, megjithë reformat prej disa dekadash për të mbrojtur pavarësinë e juridikut.

Transparency International vë në dukje, në raportin mbi 32 vende të ndryshme të botës, se rëndësia e juridikut të pavarur nuk mund të mbi theksohet. Çdo kush humbet kur drejtësia është e korruptuar, veçanërisht të varfërit, që detyrohet të paguajnë ryshfete, që nuk i përballojnë dot.

Sipas raportit të Transparency International, në mbi 25 vende, të paktën 10 përqind e familjeve paguan ryshfe për drejtësi. Në 20 vende të tjera, mbi 30 përqind e familjeve paguan ryshfete, që çështja e tyre të kalonte në sistemin e drejtësisë ose që të arrihej në një vendim të drejtë nga gjykata. Në 9 vende të tjera, përfshirë Shqipërinë e Greqinë, kjo përqindje është edhe më e lartë.

Një prej problemeve të tjera të përmendura në raport mbi Shqipërinë është shmangja e përgjegjësisë për raste individuale mes disa gjykatësve, duke bërë që secili prej tyre të mund të fajësojë tjetrin në rast se dalin probleme. Ndërkohë, vonesat bëjnë që njerëzit, nga ndonjëherë duke mos ditur sa gjatë mer një proces gjyqësor, nguten për të paguar ryshfete.

Në studimin e 32 vendeve të ndryshme të botës, thuhet se standartet ndërkombëtare mbi paanshmërinë janë dëmtuar në Rusi dhe në Argjentinë, ku ndërhyrja e politikanëve është shtuar.

Transparency International thekson masat e paefektshme disiplinore ndaj gjykatësve të korruptuar, madje rekomandon krijimin e komisioneve të pavarura për të emëruar gjykatës dhe për të hetuar ankesa në adresë të tyre. Në raport thuhet gjithashtu se vendet me probeleme në sistemin juridik duhet të sigurohen se rrogat e gjykatësve pasqyrojnë përvojën dhe punën e tyre. //ze//

XS
SM
MD
LG