Lidhje

Si do të mbahet mend kryeministri i Britanisë


Kryeministri britanik Toni Bler, largohet nga posti më 27 qershor. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Nadre DeNesnera, i hedh një vështrim karrieres së zotit Bler, pas një dekade në pushtet.

Më shumë se 10 vjet më parë, më 1 maj të vitit 1997, Partia Laburiste britanike fitoi me një rezultat të ngushtë zgjedhjet, duke i dhënë fund sundimit 18 vjeçar të konservatorëve, me Margaret Theçer dhe Xhon Mejxhër. Në moshën 43 vjeçare, udhëheqësi i Partisë Laburiste, Toni Bler, u bë kryeministri më i ri në Britani, që nga koha e Lord Liverpulit, në vitin 1812. “Një agim i ri duket në horizont. Ne gjithmonë kemi thënë se në qoftë se kemi kurajon, mund ta arrijmë ndryshime dhe ja arritëm. Ne jemi zgjedhur si laburistët e rinj dhe do të qeverisim si të tillë.”

Shumë ekspertë, si historiani Andrju Roberts, thonë se një nga arritjet më të mëdha të zotit Bler ka qenë ndryshimi brenda Partisë Laburiste, për ta bërë atë të pranueshme nga zgjedhësit. “Ai e drejtoi partinë drejt qendrës, madje disa brenda partisë thonë se partia arriti në krahun e djathtë. Ai eliminoi në mënyrë të efektshme idenë negative mbi fitimin dhe imazhin e keq mbi të pasurit. Ai e bindi partinë se taksat e larta ndihmojnë në aspektin kulturor, social dhe ekonomik. Ai eliminoi plotësisht konceptin e shtetëzimit dhe nuk tentoi të shtetëzonte asnjë nga industritë që konservatorët kishin privatizuar gjatë 18 vjetëve në pushtet. Edhe në përplasjet ideologjike midis të majtëve dhe të djathtëve ai mbajti anën e djathtë, duke u akuzuar nga laburistët e vjetër se kishte vazhduar traditën e Margaret Theçerit. Laburistët e mëparshëm kërkonin që shteti të shpërndante pasuritë e vendit.” Historiani Roberts thotë se zoti Bler e shndërroi Partinë Laburiste në një makinë politike, duke fituar 3 zgjedhje të njëpasnjëshme, një arritje e parealizuar nga asnjë udhëheqës laburist deri në atë kohë.

Ekspertët thonë se gjatë mandatit të tij dhjetëvjeçar ekonomia britanike ka shënuar rritje të pandërprerë dhe Londra forcoi reputacionin si një qendër financiare botërore. Shumë analistë thonë se populli britanik është në një gjendje më të mirë ekonomike dhe sociale se 10 vjet më parë.

Një sukses tjetër është shënuar në çështjen e Irlandës së Veriut. Zoti Bler punoi pa u lodhur për të sjellë në tryezën e bisedimeve palët e interesuara, duke arritur më në fund një marrëveshje mbi ndarjen e pushtetit midis katolikëve dhe protestanëve në Asamblenë e Irlandës së Veriut. Në këtë mënyrë, morën fund dekada dhune dhe armiqësie që u kushtuan jetën më shumë se 3 mijë e 700 njerëzve.

Antoni King, profesor i politikës britanike në Universitetin Iseks, thotë arritja e paqes në Irlandën e Veriut, ishte një nga synimet e zotit Bler, që kur ai mori pushtetin në vitin 1997. Por gjatë dekadës nën udhëheqjen të zotit Bler ka patur edhe probleme. Qeveria e tij është përfshirë në disa skandale. Skandali që shkaktoi dëmin më të madh, ishte ai i quajtur “para për ndere.” Policia ende heton akuzat se njerëz të afërt me zotin Bler, kanë pranuar shuma të mëdha parash për Partinë Laburiste, në shkëmbim të ndereve, si për shembull titujt në Dhomën e Lodrëve. Ekspertët thonë se këto kanë ndodhur në Britani për shekuj, por asnjëherë kaq hapur.

Ekspertët thonë se në planin ndërkombëtar Toni Bler zbatoi një politikë intervencioniste ne vende te tjera, duke dërguar trupa britanike në Bosnje, Kosovë, Sierra Leone, Afganistan dhe Irak. Shumë analistë thonë se dekada e tij në pushtet do të përmendet gjithmonë me vendimin për të mbështetur ndërhyrjen ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak, së bashku me mbështetjen e pakufishme të presidentit Bush. Xhon Rentul, një nga biografët e zotit Bler, thotë se problemet e zotit Bler filluan me sulmet terroriste të 11 shtator të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara, kur ai tha se Britania do të qëndrojë krah-për-krah me Amerikën. Por gjuha që ai përdori dhe duke mos dënuar veprime si ato në qendrën e paraburgimit në Gjirin Guantanamo të Kubës dhe abuzimet në burgun Abu Greib, pa dyshim që e keqësuan situatën. Gjysma e anëtarëve të parlamentit nga partia e tij që nuk mernin pjesë në qeveri, votuan kundër luftës në Irak dhe atij iu desh të luftonte brenda Partisë Laburiste. Ndërkohë edhe publiku britanik kundërshtonte luftën në Irak dhe pjesëmarrjen britanike në këtë luftë.

Shumë analistë besojnë se reputacioni i zotit Bler është dëmtuar shumë dhe sukseset e tij janë eklipsuar nga lufta në Irak. Ata shprehen se pa këtë luftë, ai mund të vazhdonte të mbante postin e kryeministrit dhe të udhëhiqte Partinë Laburiste në zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen në maj të vitit 2010. //rd//

XS
SM
MD
LG