Lidhje

Maqedoni: Jep dorëheqjen zv/Ministri i Brendshëm


Zëvendësministri i Punëve të Brendëshme në qeverinë e Maqedonisë Refet Elmazi ka njoftuar se jep dorëheqje nga ky post për shkak të incidentit të para dy ditëve në fshatin Tanushë gjatë një aksioni të policisë speciale atje. Zoti Elmazi thotë se në ministri po bëhen pengesa dhe kurthe nga segmentë të ndryshëm në mënyrë që të zhvlerësohet politika e partisë Demokratike Shqiptare në fushën e sigurisë dhe qëndrueshmërisë. Zëvendësministri në dorëheqje Refet Elmazi është kuadër i PDSH-së.

Zoti Refet Elmazi në një komunikatë me shkrim dërguar mjeteve të informimit thotë se ai dhe partia së cilës i takon (PDSH) ishin zotuar se gjithmonë do të ishin në mbrojtje të interesave të populliti shqiptar, se do të luftohej krimi i organizuar dhe devijimet e tjera dhe se do të ishin garanci për mirëqenien, paqen dhe sigurinë e shqiptarëve. Rastin e ndërhyrjes së policisë maqedonase në fshatin Tanushë, ai e shikon si një hedhje hije ndaj suksesit kolosal, siç thotë, të Partisë Demokratike Shqiptare.

Duke analizuar rrethanat e këtij incidenti, Zëvendësministri i Punëve të Brendëshme në dorëheqje, Elmazi thotë se ka pasur një varg pengesash, truqesh dhe kurthesh të llojeve të ndryshme nga segmente të caktuara të ministrisë Rendit. “Këtyre strukturave nuk u konventon që PDSH të marrë meritat për vendosjen e sigurisë në zonat ku jetojnë shqiptarët”, nënvizon njeriu i dytë i policisë së Maqedonisë, duke shtuar se “në mënyrë subjektive është i pafajshëm por në mënyrë objektive ndjen përgjegjësi sepse synohet të bëhet zhvlerësimi i kontributit të partisë së tij, Demorkatike Shqiptare”. Për këtë akt ai thotë se do ta njohtojë kryetarin e partisë së tij, Arbën Xhaferi dhe kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski.

Kjo është dorëheqja e parë nga kabineti i kryeministrit Gruevski që kur ai e formoi qeverinë në gusht të vitit të kaluar. Incidenti në fshatin Tanushë, në kufi me Kosovën, e banuar tërësisht nga shqiptarë ka zgjuar zemërim të madh te popullata e kësaj zone e cila nuk i mirëpret forcat qeveritare të sigurisë qysh pas konfliktit të armatosur në vitin 2001 që filloi pikërisht në fshatin Tanushë.

Ndërhyrja e fundit e njësive speciale policore kishte për qëllim bastisjen për gjetjen e armatimit ilegal në këtë fshat, por përveç dy pushkëve dhe municionit, sipas njoftimeve të vetë Ministrisë së Punëve të Brendëshme, nuk është gjetur më tepër. Një grua ka mbetur e lënduar nga dhuna policore gjatë këtij aksioni që është pasuar nga të shtëna armësh. //rd//

XS
SM
MD
LG