Lidhje

Korea e Veriut kryen prova me raketa me rreze të shkurtër veprimi


Korea e Veriut lëshoi një numër raketash me rreze të shkurtër veprimi në drejtim të Detit të Japonisë, të parat që nga korriku i vitit të kaluar.

Zyrtarët e Japonisë dhe të Koresë së Veriut nuk u dhanë shumë rëndësi lëshimeve që me sa duket u kryen sot, ndryshe nga provat e korrikut, të cilat përfshinin edhe një raketë me rreze të gjatë veprimi dhe që ngjallën zemërim në arenën ndërkombëtare.

Zyrtarët amerikanë dhe jugkoreanë thanë se lëshimi i raketave të sotme ishte pjesë e një manovre ushtarake të përvitshme. I dërguari amerikan Kristofer Hill, kryenegociator në bisedimet për programin bërthamor të Koresë së Veriut, tha se nuk ishte e pazakontë për Penianin që të testojë raketa me rreze të shkurtër veprimi. Zoti Hill tha se nuk mendonte që provat do të kishin ndonjë ndikim mbi bisedimet gjashtëpalëshe. Ai ndodhet në Manila për një takim rajonal të Azisë Juglindore.

Kryeministri japonez Shinzo Abe tha se provat ishin jashtëzakonisht për të ardhur keq por shtoi se nuk beson që kjo të përbënte ndonjë çështje serioze për sigurinë e vendit të tij.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë ku kërkohet që Peniani të ndalë programin e tij bërthamor. Këshilli u kërkonte gjithashtu vendeve anëtare të mos e lejojnë Penianin të marrë ose të japë materiale për ndërtimin e raketave. Japonia është treguar veçanërisht e shqetësuar për lëshimet e raketave të Koresë së Veriut. Në vitin 1998, një raketë koreanoveriore me rreze të gjatë veprimi kaloi mbi Japoni para se të binte në Oqeanin Paqësor. Raketat me rreze të shkurtër veprimi nuk arrijnë dot në Japoni nëse lëshohen nga territori i Koresë së Veriut. //rd//

XS
SM
MD
LG