Lidhje

Kosovë: Përfaqësuesit politikë serbë kërkojnë respektimin e të drejtave të komunitetit


Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës kanë kërkuar respektimin e nevojave të këtij komuniteti dhe garanci për sigurinë në periudhën e zgjidhjes së statusit politikë të Kosovës.

Shefi i grupit parlamentar të Listës serbe për Kosovën, Rangjel Nojkiq, tha sot në një takim me gazetarë se prania e përfaqësuesve serbë në institucionet e Kosovës nuk duhet të jetë vetëm çështje dekori. Sipas tij kjo listë është e gatshme të marrë pjesë në institucionet e vendit të cilat janë bojkotuar prej saj që nga viti 2004 dhe për këtë do t’u shkruajnë edhe shefave të këtyre institucioneve. “Kemi thënë se duam të marrim pjesë dhe se këtë vendim do ta marrim vetë pa qëndrimin e askujt e as të Beogradit”, tha ai, duke nënvizuar se kjo pjesëmarrje varet nga qëndrimi I institucioneve ndaj tyre. Lista serbe tha ai, kërkon respektimin e të gjitha rregullave të lojës që sigurojnë një pjesëmarrje aktive dhe me ndikim në jetën e komunitetit serb.

Ndërkohë kryetari i Partisë së Pavarur Liberale Slobodan Petroviç ka kërkuar sot garanci për sigurinë e komunitetit serb gjatë periudhës së zgjidhjes së statusit të Kosovës. Pas një takimi me shefin e Misionit të Kombeve të Bashkuara, Joachim Ruecker, ai tha se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet sa më parë. “Qëndrimi i Partisë së Pavarur Liberale është se serbët duhet të qëndrojnë dhe të jetojnë në Kosovë pavarësisht nga statusi përfundimtar i saj ndërsa i bënë thirrje Misionit të Kombeve të Bashkuara që të bëjë gjithë çfarë është e mundur për të shmangur dhunën në ditët që po vijnë”. Zgjidhja e statusit tha ai duhet të jetë në të mirë të të gjithë qytetarëve dhe duhet t’u jepet fund rrëfimeve për territorin përkatësisht për përqindjet e tij, në vend se të flitet për qytetarët, duke ju referuar qëndrimeve të zyrtarëve në Beograd të cilët pohojnë se pavarësimi i Kosovës nënkupton humbjen e 15 për qind të territorit të Serbisë.

Beogradi dhe serbët e Kosovës kanë kundërshtuar propozimin e krye negociatorit ndërkombëtarë Martti Ahtisaari që parasheh pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën. Autoritetet ndërkombëtare dhe ato vendase në Kosovë u kanë bërë thirrje atyre të pranojnë këtë propozim, pjesa më e madhe e të cilit u kushtohet pakicave kombëtare, e posaçërisht pakicës serbe. //rd//

XS
SM
MD
LG