Lidhje

Një film dokumentar që përkujton Luftën e Dytë Botërore


Çdo vit Amerika kujton të rënët e saj me rastin e Ditës Përkujtimore, që është e hëna e fundit e majit. Në këtë ditë kujtohen dhe nderohen jo vetëm të rënët, por edhe të gjithë ata amerikanë që kanë shërbyer në kohë lufte. Regjizori dhe historiani Ken Burns pasqyron përvojën e tyre në dokumentarin e ri me titull Lufta.

Ky dokumentar është një xhirim i zymtë i luftës së Dytë Botërore nga një ushtar amerikan në Paqësor. Kjo pamje dhe qindra të tjera si kjo pasqyrojnë një gjendje të ndërlikuar të betejës, vuajtjeve, guximit dhe këmbënguljes së amerikanëve, që u angazhuar në luftime. Historiani dhe regjizori, Ken Burns e rendit këtë përvojë njerëzore në një dokumentar me 7 pjesë të titulluar, Lufta.

“Ne u përqendruam në dy fronte lufte, ku morrën pjesë më shumë amerikanë. Fronti evropian, që përfshin edhe Afrikën veriore, si dhe Paqësori, dhe ne i ndoqëm ngjarjet paralelisht. Në këtë dokumentar ne pasqyrojmë edhe jetën në vendbanimet e këtyre ushtarëve për të parë sakrificat e tyre, vështirësitë e tyre, shqetësimet lidhur me luftën, vuajtjen shpirtërore si dhe gëzimin kur bashkohen me ushtarët, që kthehen.”

Këto ngjarje të jashtëzakonshme nga njerëz të zakonshëm pasqyrojnë një aspekt shumë personal të luftës. Në dokumente nuk ka politikanë, diplomatë apo gjeneralë, as fjalime apo traktate, thjeshtë njerëz të zakonshëm, duke kujtuar ditët e vështira të luftës, net pa fund, pa gjumë, në pritje të përfundimit të luftës për t’u kthyer në shtëpi tek të dashurit. Për të treguar këtë histori, regjizori Burns zgjodhi 4 qytete amerikane.

“Uoterberi në Kenetikat në pjesën veri-lindore të Shteteve të Bashkuara, që quhet edhe Qyteti i Tunxhit, në mes të shekullit të 19 prodhonte çdo gjë nga i kuqi i buzëve deri tek përzjerësit e koktejeve, u kthye në një makinë impresionuese të luftës. Mobill, Allabama, qyteti i fjetur i prodhimit të anijeve, që shpërtheu. Sakramento, Kalifornia, ku u ndërtuan 3 baza e që kishte një popullsi të madhe japonezo-amerikane. Pastaj ne donim të gjenim një qytet të vogël me vetëm 3 mijë banorë dhe e gjetëm në Lavërnë të Minesotës.”
Aktori Tom Hanks duke lexuar tekstin:
“Lavërn, Minesota, gusht 1941. Zonjusha Agat Rajlënd, që është për vizitë në qytet për të parë të vëllanë, e di fare mirë se ç’do të thotë të shikosh pjesë të mëdha të qytetit të shkatërruara nga bombat e Gjermanisë. Madje ajo mban mënd netët kur Londra digjej, se si ajo lexonte një letër nën dritën e flakëve, që digjeshin larg, shumë larg.”

“Ne kaluam në Francë, nëpër disa pjesë të Belgjikës dhe ndeshëm me një stuhi të madhe dëbore. Automjetet tona gati sa nuk ngecën”.

Brunet Miller nga Sakramento është njëri prej 16 milionë amerikanëve, që morrën pjesë në luftën e Dytë Botërore dhe një prej pak veteranëve, që ndanë përvojën e tyre me gjithë botën. Çdo ditë vdesin rreth 1 mijë veteranë të Luftës së Dytë Botërore dhe përvojën e tyre nuk e njeh njeri. Në përpjekje për të mbledhur kujtime personale të burrave dhe grave amerikane, që shërbyen në kohë luftërash, Biblioteka e Kongresit, më e madhja në botë, filloi në vitin 2000 Projektin e Historisë së Veteranëve.

Dokumentari i Ken Burnsit pritet të ngjallë interes të madh në Projektin e Historisë së Veteranëve në Bibliotekën e Kongresit. Historiani dhe regjizori Burns edhe është kritikuar për mos përfshirjen e heronjve hispaniko-amerikanë. Por ai thotë se zërat, që i përdor në dokumentar përfaqësojnë të gjithë amerikanët, që u prekën nga lufta e fundit botërore: ushtarët, marinarët, personelin mjeksor, gratë, fëmijët. Ajo ishte luftë e çdo kujt./al/

XS
SM
MD
LG