Lidhje

Rusia vazhdon të kundërshtojë planin e OKB-së për Kosovën


Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov përsëriti akuzat e vendit të tij se Shtetet e Bashkuara po fillojnë një garë të re armatimesh me planet e tyre për të instaluar një sistem të mbrojtjes nga raketat në Evropë. Komentet e zyrtarit rus bëhen ndërkohë që ministrat e jashtëm të Grupit të Tetëshes u takuan në Potsdam të Gjermanisë në përgatitje për takimin e nivelit të lartë që do të mbahet në qytetin turistik verior të Hailigendamit. Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs i quajti absurde shqetësimet rreth një sistemi të tillë. Ajo tha se arsenali gjigand i Rusisë mund ta mposhtë me lehtësi sistemin prej 10 raketa që planifikojnë të instalojnë Shtetet e Bashkuara në Poloni dhe në Republikën Çeke. Zyrtarët amerikanë theksojnë se ky sistem synon të përballojë kërcënimet që vijnë nga shtete të papërgjegjshëm si Irani dhe Koreja e Veriut.

E ardhmja e Kosovës ishte një nga çështjet kryesore të diskutuara sot në takimin e ministrave të jashtëm të Grupit të Tetëshes në Potsdam të Gjermanisë.

Ministri i jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, vendi i të cilit mban kryesinë e radhës të Tetëshes, tha para takimit se bisedimet për Kosovën nuk do të jenë të lehta.

"Lidhur me Kosovën, ka rëndësi që ne të mos marrim një vendim të njëanshëm. Është e nevojshme të gjejmë mirëkuptim dhe pastaj të kalojmë në Këshillin e Sigurimit. Besoj se edhe partnerët tanë rusë do të bien dakord. Por pa një rezolutë në Këshillin e Sigurimit nuk do të bëjmë dot përparim në Ballkanin Perëndimor dhe në Kosovë. Pa një rezolutë, nuk mund të ketë përgjegjësi evropiane për sigurinë në Kosovë," u tha ministri Shtajnmajer gazetarëve.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët kryesorë evropianë, të cilët mbështesin pavarësinë po përpiqen të ngushtojnë diferencat me Rusinë, që është shprehur kundër.

Ministri i jashtëm Lavrov tha se shpreson që vendi i tij të mos detyrohet t’i verë veton planit të negociatorit të OKB-së për pavarësi të kushtëzuar. Ai nguli këmbë gjithashtu që të zhvillohen bisedime të drejtpërdrejta mes zyrtarëve serbë dhe shumicës shqiptare.

Zoti Lavrov tha nga ana e tij se zgjidhja më e mirë do të arrihej vetëm nëse qeveria serbe dhe përfaqësuesit e Kosovës zhvillonin bisedime mes tyre.

"Ne mund të biem dakord për çdo gjë por çështja është të arrihet marrëveshje mes serbëve dhe popullit të Kosovës. Më e mira do të ishte nëse ata do të binin dakord mes tyre pa krizë. Qendrimi ynë është i qartë, fati i Kosovës është fati i Serbisë. Dhe kjo nuk do të zgjidhet në Nju Jork ose në Potsdam apo në çdo format tjetër por përmes bisedimeve të drejtpërdrejta. Deri tani nuk kemi patur rezultate të mira por ne nuk duam të shkaktojmë konflikt. Ne duam ta ruajmë forcën ndërkombëtare në Kosovë, duam një zgjidhje paqësore," tha zoti Lavrov.

Para kësaj, Shefi i politikës së jashtëme të Bashkimit Evropian, Havier Solana tha se besonte që për çështjen e Kosovës do të arrihej një farë përparimi.

Anëtarët e Tetëshes, Britania, Franca, Japonia, Italia, Rusia, Kanadaja, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara kanë mbajtur disa mbledhje në nivel ministrash përpara takimit të nivelit të lartë që do të mbahet në Hajligendam nga 6 deri më 8 qershor.

XS
SM
MD
LG