Lidhje

GNK: Qeveria e re në Beograd sinjalizon largim të mëtejshëm të Serbisë nga kursi euroatlantik


Grupi Ndërkombëtar i Krizave, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos i bëjë lëshime Serbisë në shkëmbim të pranimit nga ajo të pavarësisë së Kosovës. Grupi me qendër në Bruksel, thotë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, e kanë humbur pothtuajse gjithë ndikimin e tyre përmes lëshimeve të vazhdueshme ndaj udhëheqësve të Serbisë. Sipas Grupit të Krizave, udhëheqja e re e Serbisë nuk ka për të bërë lëshime dhe do të zgjedhë Kosovën, mbi marrëdhëniet me Evropën. Në një raport të fundit, Grupi i Krizave thotë se Perëndimi nuk duhet të mbyllë sytë përpara faktit se Serbia gjithnjë e më shumë po largohet nga Evropa dhe po shkon drejt Moskës. Raporti i Grupit të Krizave i botuar sot, vjen vetëm një ditë pasi Komisioneri Evropian për Zgjerimin Olli Rehn tha se Bashkimi Evropian mund të rifillojë së shpejti negociatat me Serbinë në kuadër të marrëveshjes së Asocim Stabilizimit.

Më se 3 muaj pas zgjedhjeve të janarit, Serbia ka tashmë një qeveri të re koalicioni. Por pozicionimi i forcave politike në qeveri dhe shumica nacionaliste në Parlamentin e vendit, nuk lënë vend për shpresa të shumta se Serbia do të shënojë përparim të ndjeshëm drejt integrimit euroatlantik. Në këtë përfundim arrin raporti i fundit i Grupit Ndërkombëtar të Krizave. Raporti me titull: “Qeveria e re e Serbisë: Largim nga Evropa”, paralajmëron se përçarjet në gjirin e koalicionit qeveritar dhe trysnia nga forcat nacionaliste si në qeveri, ashtu edhe në parlament nuk pritet të rezultojnë në përparim në çështjet më parësore për Perëndimin: bashkëpunimin me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës dhe qëndrimin ndaj çështjes së statusit të Kosovës.

Qeveria e re e Serbisë, shkruan në raportin e saj të ri organizata joqeveritare, Grupi Ndërkombëtar i Krizave, është e përçarë thellë ndërmjet forcave pro-perëndimore dhe nacionalistëve dhe përballet me dy çështje të vështira – zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe bashkëpunimin me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës – ose, siç theksohet në raport, me zgjedhjen ndërmjet përparimit për integrim në Evropë apo izolimit të mëtejshëm.

Duke pasur parasysh pozicionimin e forcave politike aktualisht në Serbi, qoftë përbërjen e qeverisë, ashtu edhe faktin që nacionalistët kanë shumicën në Parlament është vështirë të priten ndryshime në politikën e jashtme të vendit. Në zgjedhjet e fundit, forcat pro-perëndimore pësuan goditje të ndjeshme, gjë që nuk pritet të ndikojë pozitivisht në përmbushjen e kërkesës së Perëndimit për të arrestuar të akuzuarit për krime lufte Ratko Mlladiç dhe Radovan Karaxhiç. Perëndimi duhet të jetë i përgatitur për mundësinë që Serbia të largohet gjithnjë e më shumë nga Evropa dhe të afrohet më tepër me Moskën.

Qeveria e re pritet të jetë e përçarë dhe mund të mos ta ketë të gjatë, paralajmëron raporti i organizatës. Ndërkohë që vendi ndeshet me probleme të shumta të brendshme, nuk ka gjasa të shënohet përparim i ndjeshëm për sa kohë që trysnia lidhur me çështjen e Kosovës zhvendos vëmendjen nga përparësitë e brendshme dhe kërcënon ekzistencën e qeverisë aktuale. Kosova dhe bashkëpunimi me Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte do të jenë burim fërkimesh brenda qeverisë së re. Ndërkohë, Beogradi po shfrytëzon haptazi shqetësimet e Perëndimit se pavarësia e Kosovës mund të rrëzojë qeverinë serbe dhe të sjellë nacionalistët në pushtet, në përpjekje për të detyruar Perëndimin të tërheqë trysninë lidhur me çështjen e Kosovës.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, thekson Grupi Ndërkombëtar i Krizave, kanë lëshuar shumë përmes koncesioneve të vazhdueshme dhe tani kanë më pak mjete diplomatike se më parë për të ndikuar tek Beogradi. Deri tani Bashkimi Evropian i është përmbajtur strategjisë për joshjen e Serbisë me shpresën e integrimit evropian për të zbutur kundërshtimin e saj lidhur me propozimet për Kosovën, por kjo strategji nuk duket se do të ketë shumë efekt duke pasur parasysh qeverinë aktuale në Beograd.

Në përpjekjet e tij për të mbështetur forcat demokratike në Serbi, Perëndimi vonoi dy herë mbylljen e negociatave për planin e ndërmjetësit Ahtisari për Kosovën – së pari për referendumin e tetorit 2006 dhe së dyti për zgjedhjet e janarit 2007 në Serbi. Po në këtë frymë përpjekjesh për të mbështetur forcat demokratike, Natoja i dha Serbisë antarësim në Partneritetin për Paqe në takimin e nivelit të lartë në nëntor 2006.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, thekson Grupi Ndërkombëtar i Krizave, kanë kontribuuar në krijimin e gjendjes aktuale duke vazhduar t’u përmbahen pikëpamjeve të vjetëruara të kategorizimit të forcave politike në “demokratike dhe “jo-demokratike.” Në përpjekje për të ndihmuar “demokratët” Bashkimi Evropian, në veçanti, ka lënë në harresë realitetin politik dhe shpesh u ka hapur rrugë nacionalistëve.

Duke toleruar mospërmbushjen e kërkesave, Perëndimi nuk ka bërë tjetër, veçse ka dobësuar pozitat e forcave pro-perëndimore, të cilat kahë pësuar humbje politike pasi shihen si të gatshme për të përmbushur interesat e huaja në dëm të interesave kombëtare të Serbisë.

Qeveria e Serbisë duhet të marrë tani seriozisht në shqyrtim atë që presin prej saj Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat shpresojnë se Presidenti Tadiç do të përmbushë bashkëpunimin me Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllave dhe zbutjen e qëndrimit të Beogradit lidhur me Kosovën. Si Bashkimi Evropian ashtu edhe Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ofrojnë stimuj në shkëmbim për zbutjen e qëndrimit të Beogradit në mënyrë që të zgjidhet çështja e Kosovës.

Brukseli dhe Uashingtoni, paralajmëron Grupi Ndërkombëtar i Krizave, nuk duhet të joshen më nga ideja për ta qetësuar Serbinë, me shpresën se kjo do të bëjë Beogradin të heqë dorë nga Kosova. Duke pasur parasysh realitetin politik në Serbi, këshillon në raportin e tij Grupi Ndërkombëtar i Krizave, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet të marrin seriozisht në shqyrtim politikat e tyre të deritanishme ndaj Beogradit. Integrimi euro-atlantik nuk gëzon magnetizmin që mendohej fillimisht.

Perëndimi mund të duhet të përballet dhe ta pranojë faktin që Serbia ka zgjedhur një rrugë tjetër, duke i kthyer shpinën Perëndimit, dhe se në periudhën afat shkurtër mund të mos ketë ndonjë mënyrë për ta ndryshuar këtë kurs. Po ashtu Perëndimi duhet të pranojë se ka gjasa që radikalët mund të marrin pushtetin. Perëndimi duhet t’i formulojë politikat e tij në përputhje me këtë realitet dhe të përgatitet për një Serbi që nuk pranon të bëjë kompromise, një Serbi izolacioniste, pro-ruse dhe anti-Bashkimit Evropian. //ad//

XS
SM
MD
LG