Lidhje

Traktati për Armët Konvencionale dhe kundërshtimet e Moskës


30 vende, që nënshkruan Traktatin për Forcat Konvencionale në Evropë, u takuan sot në Vjenë. Ky sesion i posaçëm zhvillohet me kërkesë të Rusisë, e cila ka deklaruar se do nuk të respektojë më kërkesat e paktit. Në vazhdim një kronikë mbi traktatin dhe kundërshtimet ruse ndaj tij:

Traktati i Forcave konvencionale në Evropë u nënshkrua në nëntor 1990 ndërmjet Paktit të Atlantikut Verior, Natos dhe Traktatit të Varshavës. Traktati për Forcat Konvencionale caktoi kufizime mbi numrin e avionëve luftarakë, helikopterëve sulmues, artilerisë së rëndë dhe tankeve e divizioneve që mund të dislokoheshin ndërmjet Oqeanit Atlantik dhe Maleve Urale të Rusisë.

Robert Hunter, ish ambasador amerikan në Nato, thotë se synimi kryesor i traktatit ishte të kufizonte superioritetin kolosal që kishte Traktati i Varshavës në fushën e armëve konvencionale:

"Traktati për Forcat Konvencionale në Evropë është trashëgimi e Luftës së Ftohtë. Ai u negociua fillimisht për të arritur një transparencë ndërmjet Natos dhe Paktit të Varshavës, në mënyrë që të uleshin shanset për konflikt si dhe për të mundësuar kufizimin e shpenzimeve për një konflikt që po bëhej gjithnjë e më i pakuptimtë," thotë zoti Hunter.

Në korrik 1991, pa u mbushur ende viti i nënshkrimit të traktatit, Pakti i Varshavës u shpërbë. Në dhjetor të atij viti nuk ekzistonte më as Bashkimi Sovjetik. Wade Bose i Shoqatës Për Kontrollin e Armëve, një kompani private kërkimore, thotë se traktati u bë krejt papritur i vjetëruar:

"Për këtë arsye në vitin 1999, palët nënshkruese u mblodhën dhe vendosën ta rishikojnë dokumentin për të pasqyruar zhvillimet aktuale. Pra, nga një traktat që krijonte një baraspeshë ndërmjet dy blloqeve, ky dokument do të caktonte tani kufij për numrin e armëve të vendeve individuale. Ky është varianti i rishikuar," thotë analisti Bose.

Por deri tani vetëm 4 vende, Ukraina, Bjellorusia, Kazakistani dhe Rusia e kanë nënshkruar variantin e ri. Zoti Bose thotë se anëtarët e Natos që e kishin nënshkruar variantin e parë, këmbëngulin që Rusia të përmbushë zotimet për të tërhequr forcat nga Moldavia dhe Gjeorgjia. Mungesa e përparimit nga Rusia për të tërhequr forcat nga këto vende është bërë burim fërkimesh.

Ekspertët thonë se Moska e kundërshton pikëpamjen e Natos duke këmbëngulur se trupat e saj në Transnistria dhe në Gjeorgji nuk duhet të bëhen pengesë për ratifikimin e traktatit. Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi në prill një moratorium lidhur me respektimin e paktit. Ai kërkoi një takim të vendeve që e kanë nënshkruar dokumentin. Sesioni do të fillojë të martën. Ja si shprehet analisti Wade Bose:

"Dua të vë në dukje se moratoriumi nuk është vënë në zbatim dhe Rusia vazhdon ta respektojë traktatin. Kërcënimet e Presidentit Putin për moratorium nënkuptojnë veprime që do të ndërmerren nëse dialogu me Naton nuk është produktiv," thotë analisti Bose.

Ekspertët thonë se kërcënimet e Presidentit Putin i kanë shtuar tensionet ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat kanë kohë që janë rritur lidhur me çështje si tërheqja e Uashingtonit nga traktati i vitit 1972 për Raketat Anti-Balistike, planet amerikane për ndërtimin e një sistemi të mbrojtjes nga raketat në Poloni dhe Republikën Çeke dhe përdorimi i bazave të Natos në Bullgari dhe Rumani. Ata thonë se për rusët, këto zhvillime janë një provë tjetër e faktit që Natoja po zgjerohet në territore që dikur ishin nën influencën e Moskës.

Tensionet ndërmjet Uashingtonit dhe Moskës hodhën një hije të zymtë mbi zhvillimet e takimit të nivelit të lartë të Grupit të Tetëshes në Gjermani. Ekspertët nuk parashikojnë ndonjë arritje të rëndësishme në të ardhmen e afërt. Por e shohin si shenjë të mirë faktin që Presidenti Bush dhe ai Putin do të takohen kokë-më-kokë fillim të korrikut në shtetin Maine në shtëpinë që ka atje ish-presidentit Bush, babai i presidentit aktual amerikan. Presidenti Bush dhe Presidenti Putin do të zhvillojnë atje diskutime që synojnë të zgjidhin mosmarrëveshjet kryesore mes tyre. //ad//

XS
SM
MD
LG