Lidhje

Një grup deputetësh propozojnë zotin Nano për postin e Presidentit


Në Shqipëri zyra e ish- kryetarit të partisë socialiste Fatos Nano njoftoi sot se një grup deputetësh kanë firmosur tashmë propozimin për kandidaturën e zotit Nano si president i ardhshëm i vendit.

Sipas Kushtetutes shqiptare një kandidat për president duhet të ketë mbështetjen e të paktën 20 deputetëve. Zyra e zotit Nano nuk dha sot emrat e parlamentarëve që e mbështesin atë por saktësoi se numri i firmëtarëve e ka kaluar kufirin e kërkuar dhe dokumenti mbetet i hapur për t’u përkrahur edhe nga të tjerë.

Vetë ish kryetari socialist në dokumentet bashkëngjitur propozimin angazhohet se kandidimi i tij nuk do të përdoret asnjëherë për të shkaktuar konflikte të reja në politikë të cilat, sipas tij, e kanë lodhur dhe vështirësuar jetën e shqiptarëve. Votimi i parë për presidentin e ri të vendit është parashikuar të kryhet më 20 qershor.

Deri tani kandidati tjetër në këtë garë është nënkryetari i partisë Demokratike Bamir Topi, i paraqitur si i vetmi emër zyrtar i së djathtës në pushtet. //kk//

XS
SM
MD
LG