Lidhje

Raporti vjetor i Departamentit të Shtetit për trafikun njerëzor


Departamenti amerikan i shtetit publikoi sot raportin e përvitshëm për trafikun njerëzor në botë, ku Shqipëria bën sërish pjesë në grupin e dytë të vendeve që nuk i plotëson standartet minimale për eliminimin e trafikut, por po bën përpjekje të konsiderueshme në këtë drejtim.

Në raport thuhet se Shqipëria është burim trafiku mes vendeve dhe brenda për brenda për shfrytëzimin seksual të grave dhe vajzave. Shqipëria nuk konsiderohet më një nga vendet kryesore tranzit apo destinacion për trafikun.

Gratë shqiptare trafikohen në Greqi dhe Itali dhe shumë prej tyre dërgohen më pas në Britani, Francë, Belgjikë, Norvegji, Gjermani dhe Hollandë. Në raportin për vitin 2006 thuhet se trafiku i grave dhe fëmijëve brenda vendit po rritet.

Qeveria vazhdoi përpjekjet për të ndjekur penalisht dhe dënuar trafikantët, krijoi një linjë telefonike falas për të raportuar këto raste dhe ratifikoi një marrëveshje dypalëshe me Greqinë. Qeveria vazhdoi gjithashtu përpjekjet për të mbrojtur dhe rehabilituar viktimat e trafikut.

Shqipëria nxit dëshmitë e viktimave kundër trafikantëve, por shpesh ato nuk e bëjnë një gjë të tillë nga frika. Në vitin 2006 vetëm 20 nga 227 viktimat dëshmuan kundër trafikantëve. Qeveria e Shqipërisë ka bërë përparim në drejtim të parandalimit dhe ndërgjegjësimit në lidhje me trafikun gjatë vitit 2006, por këto përpjekje u mbështetën financiarisht kryesisht nga shoqatat jo-qeveritare dhe organizatat ndërkombëtare.

Ndërkohë, Shqipëria nisi sot një fushatë kundër shfrytëzimit të fëmijëve për punë dhe për të lypur. Koalicioni Kundër Trafikimit të Fëmijëve, që përfshin 14 organizata vendase dhe ndërkombëtare, e nisi fushatën pikërisht sot në Ditën Botërore Kundër Punës së Fëmijëve.

Zëvendës-ministrja e brendshme, Iva Zajmi, njëkohësisht edhe koordinatore kombëtare e antitrafikut, tha sot për Zërin e Amerikës se shfrytëzimi i fëmijëve në Shqipëri mund të vlerësohet si një "situatë dramatike", ndaj edhe kundër kësaj situate po merren masa të forta për të mbrojtur fëmijët. //ze//

XS
SM
MD
LG