Lidhje

Freedom House: Indeksi i vlerësimit të demokracisë në  Shqipëri shënon rënie


Raporti i organizatës Freedom House “Vendet në Tranzicion 2007”, ku vlerësohen zhvillimet demokratike në 29 vende të Evropës Qendore dhe Euroazisë gjatë vitit 2006, tregon se populismi dhe pritjet anti-liberale janë në ngritje dhe pavarësia e gjyqësorit është nën presion të vazhdueshëm. Sipas Freedom House, në vendet e Ballkanit Bosnja dhe Serbia kanë bërë një farë përmarimi në proceset demokratike, ndërsa Shqipëria, Kroacia dhe Mali i Zi kanë shënuar një farë rënie. Maqedonia dhe Kosova kanë mbetur në të njejtin stad.

Përpjekjet e Shqipërisë për integrimin në strukturat euro-atlantike gjatë vitit të kaluar shënuan rezultate, vë në dukje Freedom House. Më 12 qershor vendi nënshkroi Paktin e Stabilizim Associmit me Bashkimin Evropian. Sëbashku me Kroacinë dhe Maqedoninë, Shqipëria mori sinjalin nga takimi i nivelit të lartë të NATO-s në Rigë të Letonisë, se do të marrë ftesë në vitin 2008 për të hyrë në NATO. Ky sukses e ka burimin kryesisht në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005. Ardhja në pushtet e qendrës së djathtë, që e bëri luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar përparësinë e saj kryesore, krijoi një imazh pozitiv tek parnerët perëndimorë dhe forcoi platformën e vendit për reforma.

Në vitin 2006 procesi i demokratizimit në Shqipëri humbi tempin e fituar në zgjedhjet parlamentare dhe trasferimin paqësor të pushtetit një vit më parë, thuhet në raportin e organizatës Freedom House. Atmosfera tejet e politizuar në Parlament bllokoi reformën zgjedhore për zgjedhjet lokale të radhës dhe antagonizmi i hapur mes ekzekutivit dhe disa institucioneve të pavarura, si dhe prirja për shtimin e theksuar të pushtetit në duart e ekzektivit, e bënë qeverisjen kombëtare më pak efektive dhe më pak demokratike. Administrata e qendrës së djathtë, thotë Freedom Hosue, zhvilloi një luftë energjike kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por pa respektuar të drejtat dhe liritë kushtetuese. Opozita u tregua intransigjente dhe nuk shprehu ndonjë vizion të qartë për një qeverisje më të mirë. Transferimi i pushtetit solli edhe largime të nëpunësve nga administrata civile pa një proces ligjor, gjë që cënoi efikasitetin e adminstratës publike. Megjithatë, çuditërisht, 2006 demonstroi një forcë të ndjeshme të demokracisë shqiptare, thekson raporti i organizatës Freedom House. Në përgjithësi, institucionet e pavaruara nuk u përkulën para presioneve.

2006 pritej të ishte viti i reformës zgjedhore që do ta përgatiste Shqipërinë për zgjedhjet lokale të Janarit 2007. Megjithë fillimin e mirë, kur partitë politike ranë dakord në fund të vitit 2005 për ndryshimin e kodit zgjedhor, kjo përpjekje ngeci në 2006. Negociatat u bllokuan vazhdimisht për çështje të ndyshme, nga anëtarësia në Komisionin parlamentar të Reformës Zgjedhore, lista zgjedhore e deri tek data e zgjedhjeve. Partitë e opozitës sinjalizuan qëllimin e tyre për bojkotimin e zgjedhjeve, në qoftë se do të dështonte procesi i reformimit konsensual të kodit zgjedhor. Gjatë 2006, thuhet në raportin e Freedom House, afatet e parashikuara me kushtetutë për listat zgjedhore dhe ngritjen e qendrave të votimit nuk u respektuan, gjë që rrezikoi së tepërmi shanset e vendit për të mbajtur zgjedhje të lira e të drejta.

Freedom House vë në dukje përparimin e pjesëshëm që është bërë në cilësinë dhe transparencën e gjyqësorit, megjithëse sistemi juridik i Shqipërisë mbetet i dobët dhe i korruptuar. Gjyqësori riafirmoi pavarësinë e vet nga ndërhyrjet politike, veçanërisht kur Gjykata Kushtetuese deklaroi jokushtetues ligjin që u kërkonte anëtarëve të Gjykatës së Kasacionit të hiqnin dorë nga çështjet për të eliminuar konfliktet e interesave.

Në 2006, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, thotë Freedom House, ishin laitmotivi i administratës së qendrës së djathtë shqiptare . Përgjithësisht në këtë aspekt u shënuan suksese, me arrestimin e udhëheqësve të njohur të bandave dhe me uljen e korrupsionit në taksimet dhe doganat, dhe ç’është më me rëndësi, u bë fare e qartë se imuniteti dhe mbrojtja e zyrtarëve të korruptuar ka marrë fund. Megjithatë korrupsioni dhe ryshfetet në nivele më të ulta kanë vazhduar dhe asnjë zyrtar i lartë nuk është proceduar.

Freedom House thotë se zgjedhjet lokale të 2007 do të jenë një provë e madhe për vendin. Veç zgjedhjeve lokale, qendra e djathtë në pushtet ka përpara edhe sfida të tjera, mes të cilave edhe përmirësimi i marrëdhëneve të saj me institucionet publike, që vendi të ecë përpra në rrugën e integrimit euro-atlantik. //iç//

XS
SM
MD
LG