Lidhje

Si funksionon Amerika: Roli i Grave


Kur bëhet fjalë për qeverisjen, shumë amerikanë i kanë përgjithësi kontaktet me organet e pushtetit lokal në qytete dhe rajone. Përkrah këtyre organeve ka grupe qytetarësh që punojnë për të përmirësuar cilësinë e jetës së tyre.

Një prej tyre është Komisioni për Gratë në qarkun Montgomeri, misioni i të cilit është informimi, aftësimi dhe suksesi i tyre.

Në qarkun Montgomeri të shtetit të Merilendit, fare pranë Uashingtonit, përparimi i gruas është politikë e qeverisjes.

Drejtorja ekzekutive e Komisionit Judith Vaughan-Prather flet për misionin e tij.

“Komisioni i Gruas u krijua për të përfaqësuar interesat e të gjitha grave në qarkun Mongomery. Ne përpiqemi të ndihmojmë gratë që janë në rrethana të vështira, banoret e reja dhe imigrante. Përpiqemi të ndihmojmë të rejat dhe të moshuarat. Ne përpiqemi t’i përfaqësojmë të gjitha ato dhe të krijojmë një program që t’u shërbejë të gjitha atyre”.

Komisioni e zbaton misionin e vet përmes programeve, seminareve dhe këshillimeve që kanë të bëjnë me punësimin, çështjet financiare, imigracionin dhe atë që kanë të bëjnë me martesën. Shumë gra shkëputen nga marrëdhëniet e punës për t’u marrë me familjen.

Kur ato janë të gatshme të rikthehen në punë, Komisioni i ndihmon të gjejnë punë.

Elma Rambo që drejton Qendrën Këshillimore dhe të Punësimit të Komisionit thotë se përparimi i gruas është përparim për këdo.

“Kur pozita ekonomike dhe arsimore e grave përmirësohet, përfiton si familja edhe komuniteti”.

Disa nga seminaret përqendrohen tek problemet e martesës. Pjesëmarrëset mësojnë për të drejtat e tyre ligjore në lidhje me ndarjen dhe divorcin, kujdestarinë për fëmijët, mbështetjen financiare dhe çfarë parashikon ligji për dhunën fizike ndaj gruas.

Janice Harold e Qendrës Këshillimore dhe Punësimit thotë se gratë që janë në situatë të vështirë vijnë për të folur me dikë dhe për ndihmë.

“Çdo informacion është i rezervuar. Kështu që gratë ndjehen të sigurta kur vijnë këtu dhe flasin për problemet personale, problemet me fëmijët, marrëdhëniet e tyre, dhe në lidhje me punën”.

Komisioni i qarkut Montgomery për Gruan është një shembull i bashkëpunimit të qeverisjes me qytetarët për të arritur barazinë dhe shanset për këdo pavarësisht nga gjinia. Megjithatë këto synime nuk janë realizuar ende plotësisht. // ze //

XS
SM
MD
LG