Lidhje

Pavarësia, alternativa e vetme për Kosovën


Ish ministrat e jashtëm të disa vendeve perëndimore bënë sot thirrje për pavarësinë e Kosovës. Madeline Albright e Shteteve të Bashkuara, Lloyd Aksworth i Kanadasë, Jan Eliason i Suedisë, Gareth Evans i Australisë, Joshka Fisher i Gjermanisë, Bronislav Geremek i Polonisë, Nils Petersen i Danimarkës, Lydie Polfer i Luksemburgut, Jozias van Artsen i Holandës dhe Hubert Vedrine i Francës, një pjesë e të cilëve hartues të planit fillestar para 8 vjetësh për qeverisjen e Kosovës, thonë se zgjidhja e vetme e mundshme, është pavarësia nën një mbikqyrje të fortë.

Thirrja ish shefave të diplomacisë është bërë përmes një artikulli botuar sot në gazetën International Herald Tribune. Kosova, theksojnë autorët, është çështja e fundit madhore territoriale ende e pazgjidhur, që pas shpërbërjes së dhunshme të ish Jugosllavisë.

Pas 14 muajsh bisedimesh, ndërmjetësuesi i tyre, Presidenti Ahtisari, arriti në përfundimin se qëndrimet e palëve ishin të papajtueshme dhe se arritja e konsensusit ishte e pamundur. Në kuadër të marrëveshjeve të negociuara me të gjitha palët, zoti Ahtisari propozoi pavarësi të mbikqyrur për Kosovën, me garanci të forta për pakicën serbe.

Ish ministrat e jashtëm theksojnë se, koha për të vepruar është tani. Tensionet mund të shtohen dhe pa një rezolutë mbi statusin përfundimtar, e ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë do të mbetet e pasigurtë. Disa thonë, theksohet më tej në artikull, se Rusia do të preferonte më mirë këtë situatë, se sa anëtarësimin e Kosovës dhe Serbisë në Nato e në Bashkimin Evropian.

Por serbët dhe kosovarët duhet të bëjnë zgjidhje tjetër. Ata e meritojnë të jenë në Bashkimin Evropian. Rusia është ankuar se nuk është përfshirë në bisedime. Ajo duhet të përfshihet, por në mënyrë konstruktive dhe jo për t’i bllokuar ato, thonë ish ministrat e jashtëm. Ajo që mund të duhet, ndoshta, është një formulim që të jetë i pranueshëm për Rusinë. Rusia mund t’i sigurojë serbët dhe të theksojë se Kosova është një rast i veçantë, që nuk mund të shërbejë si precedent për rajone të tjera.

Plani Ahtisari, theksojnë ish minsitrat e jashtëm, ka disa avantazhe. Ai u ofron rreth 100 mijë banorëve serbë mundësinë të kontrollojnë jetën e tyre në një Kosovë demokratike, që do të mbrohet dhe vëzhgohet nga komuniteti ndërkombëtar. Plani parashikon mbrojtje për objektet fetare e kulturore serbe. Po ashtu ai parashikon një prani ndërkombëtare që do të mbikqyrë institucionet e Kosovës dhe do të ndjekë zbatimin e marrëveshjes. Po ashtu ai e vendos Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian.

Bashkimi Evropian, theksojnë më tej ish shefat e diplomacisë, ka rënë dakort të mbikqyrë Kosovën gjatë periudhës tranzitore dhe të dërgojë atje një mision policor përkrah forcës së tanishme paqeruajtëse të Natos. Një vonesë e pafund e shkaktuar nga paqartësia rreth statusit të Kosovës, do të vinte në rrezik tranzicionin e qetë drejt mbikqyrjes evropiane. Kosova, thonë ish zyrtarët e lartë, është një rast unikal, që kërkon zgjidhje krijuese. Ajo nuk ka pse krijon precedentë për konfliktet e tjera të pazgjidhura.

Kur Këshilli i Sigurimit miratoi rezolutën 1244, në përgjigje të veprimeve të Millosheviçit në Kosovë, ai hodhi bazat për një proces politik që do të përcaktonte të ardhmen e Kosovës. Serbia, shkruajnë më tej autorët, duhet të pranojë se stabiliteti në Ballkan, që do të arrihet nga plani Ahtisari, do ta lejojë atë të shfrytëzojë pozicionin gjeografik, burimet dhe talentet për t’u bërë një lojtar i rëndësishëm rajonal dhe një forcë konstruktive në politikën evropiane. Populli serb meriton një vend legjitim në Evropë dhe Serbia mund të fillojë të ecë drejt anëtarësimit në Bahskimin Evropian. Synimi ynë, theksojnë ish ministrat e jashtëm, është një Evropë e bashkuar dhe e lirë, ku të gjithë popujt e Ballkanit perëndidmor të jenë anëtarë të Bashkimit Evropian.

Përfitimet e një përpjekje të bashkërenduar evropiane në Kosovë, të mbështetura nga OKB-ja dhe NATO-ja, janë të mëdha. Rusia dhe vendet e tjera të Këshillit të Sigurimit duhet të plotësojnë premtimin që Këshilli bëri në vitin 1999 dhe të bien dakort që të përfundojnë procesin e vetë-qeverisjes në Kosovë. Kjo është alternativa më e mirë në këtë periudhë të një historie të vështirë për gjithë rajonin. Alternativa të tjera të qëndrueshme nuk ekzistojnë, përfundojnë ish ministrat e jashtëm, në artikullin e tyre botuar sot në gazetën International Herald Tribune. //rd//

XS
SM
MD
LG