Lidhje

Banka Botërore, kredi afatgjatë për një bankë private në Shqipëri


Banka Botërore i dha të enjten rreth 13 milionë dollarë Bankës Popullore në Shqipëri, për të mbështetur zhvillimin e tregut të banesave. Fondi do të ndihmojë për rreth 12 vjet mbi një mijë familje që do të marrin kredi nga kjo bankë për të blerë shtëpi të reja banimi. Banka Popullore është një nga Bankat e reja private në vend.

Përfaqësues të Bankës së Botërore pohuan me këtë rast se ky fond për kredi jepet për të shtuar produktet e reja në tregun bankar dhe për të rritur fuqinë e sistemin financiar. Korporata Financiare Ndërkombëtare, që është një degë e Bankës Botërore bëri të ditur se ky investim do të mbështetë edhe rritjen e industrisë së ndërtimit.

Banka Botërore po e mbështet Shqipërinë që nga viti 1991 me një mori projektesh për zhvillim dhe zbutje të varfërisë, që shkojnë në një vlerë të përgjithshme deri në 920 milionë USD. Banka Botërore gjithashtu po financon një segment të rrugës Durrës-Kukës, e cila kalon përmes zonave më të varfra të Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, Banka Botërore aprovoi një Projekt për Administrimin dhe Menaxhimin e Tokës në Shqipëri. Projekti do të zhvillojë tregun e tokës dhe pronës, përmirësimi i sigurisë së pronësisë mbi tokën. Ekspertët e Bankës Botërore vlerësuan se të drejtat e pronësisë së bashku me një regjim transparent për menaxhimin e tokës janë themelore për krijimin e tregjeve të rregullta të tokës dhe pronësisë në Shqipëri.

Krahas Bankës Botërore edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar po e nxit Shqipërinë që të shfrytëzojë më mirë qëndrueshmërinë e vet makro-ekonomike si një mjet për të zbutur varfërinë dhe për të përmirësuar jetesën e popullatës. Banka Botërore dhe FMN pohuan se Sfida kryesore është që të ruhet ritmi aktual i rritjes së shpejtë ekonomike, sepse kjo do të ndihmojë popullin që të ulë varfërinë, të ngrejë nivelin e jetesës, dhe të paraprijë integrimin e Shqipërisë në BE.

FMN dhe Banka Botërore vlerësojnë sidomos kontrollin e inflacionit, qëndrueshmërinë makro-ekonomike të Shqipërisë. Sipas përfaqësuesit të tyre, rritja e kreditimit po mbështet rritjen e ekonomisë dhe Shqipëria po bëhet tërheqëse për investimet e huaja./al/

XS
SM
MD
LG