Lidhje

Uizner: Mund të zhvillohen bisedime të tjera rreth statusit të Kosovës


I dërguari amerikan për statusin e Kosovës, ambasadori Frenk Uinser, tha sot në Prishtinë se mund të zhvillohen bisedime të tjera rreth statusit.

Pas takimit me udhëheqësit shqiptarë, ambasadori Uizner pohoi se kishte diskutuar me ta lidhur me mundësinë e përfshirjes së një periudhe tjetër diskutimesh për statusin.

Megjithatë zyrtari i lartë amerikan theksoi se përfundimi i procesit do të jetë pavarësia e Kosovës. Zoti Uisner qartësoi sot në Prishtinë se për zgjidhjen e statusit të Kosovës duhet një konsensus ndërkombëtar. Ai tha se negociatat në nivel ndërkombëtar për një çështje kaq të rëndësishme sa Kosova janë të ndërlikuara dhe marrin kohë. "Është gabim të thuhet se ato do të përfundojnë brendja një ose dy javësh. Ajo që po përpiqemi të arrijmë është njohja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës. Nuk do të them vonesa apo jo, por ajo që do të them është se me Presidentin Sejdiu, me Grupin e Unitetit, diskutuam për një rezolutë që mund të përfshijë një periudhë diskutimesh të mëtejshme lidhur me statusin. Nuk ka ndonjë marrëveshje ndërkombëtare për këtë. Presidenti Sarkozy bëri një propozim në Berlin, ide të ndryshme janë në tryezë në Nju Jork. Nuk ka përfundim. Por nëse do të ketë diskutime të mëtejshme në një afat kohor të kufizuar, do të jenë për të vërtetuar se çdo përpjekje është bërë për të arritur një marrëveshje për statusin, jo për të vonuar përfundimin që duhet të ketë, por për ta bërë të qartë në botë se është ezauruar çdo mundësi”, tha zoti Uizner.

Ambasadori Uisner tha se mesazhi që solli në Prishtinë ishte se Shtetet e Bashkuara dhe Kosova janë partnerë në arritjen e këtij objektivi, që është pavarësia e Kosovës. "Mesazhi që i solla sot Grupit të Unitetit, anëtarëve të qeverisë suaj dhe të opozitës, është se Shtetet e Bashkuara janë në partneritet me ju për të arritur një objektiv dhe ky është pavarësia e Kosovës, pikërisht ai objektiv të cilin presidenti Bush e theksoi në Tiranë. Ky ishte thelbi i mesazhit tim. Ne u takuam për të diskutuar taktikat, si ta arrijmë këtë objektiv, përmes Kombeve të Bashkuara, përmes negociatave, që do të çonin një konsensus ndërkombëtar. Por thelbi i mesazhit tim sot ishte: Ne jemi në këtë bashkë. Ne do të punojmë në aspektin ndërkombëtar, na duhet mbështetja juaj dhe keni një punë për të bërë në shtëpi për ta bërë Kosovën gati për ditën e pavarësisë".

Presidenti Fatmir Sejdiu nënvizoi se Prishtina do të punojë së bashku me komunitetin ndërkombëtar, por vuri në dukje se Kosova nuk mund të mbetet peng i vazhdueshëm i tekave të ndonjë pale. Pas 13 muajsh bisedimesh, i dërguari i OKB-së për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, propozoi që Kosovës t’i jepet pavarësi e mbikqyrur. Propozimi i tij kundërshtohet nga Rusia.

Moska ka thënë se nuk do të pranojë një zgjidhje, që nuk është e pranueshme nga të dyja palët. Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, më 10 qershor, Presidenti Bush theksoi se rezultati përfundimtar i procesit të statusit të Kosovës do të jetë pavarësia. //rd//

XS
SM
MD
LG