Promovuesit e turizmit në Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuar lidhur me numrin e vizitorëve të huaj. Një organizatë kryesore lobiste e industrisë së turizmit thotë se numri i turistëve nga shumica e vendeve të botës ka rënë gjatë viteve të fundit, madje Shtetet e Bashkuara kanë humbur rreth 60 milion turistë të huaj që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001. Zyrtarët e industrisë së turizmit thonë se mendimi që nga viti 2001 se vizita në Shtetet e Bashkuara shoqërohet me vështirësi, si për shembull vonesat në aeroporte, mbajnë pjesërisht përgjegjësinë për humbjet në këtë industri.
Orlando në Florida është një prej destinacioneve kryesore turistike të Amerikës. Zyra lokale e vizitorëve thotë se ky qytet tërheq rreth 50 milion vizitorë në vit, mes tyre 3 presje 5 milion turistë të huaj. Ata shkojnë në Orlando të vizitojnë parqet Disney World dhe qendra të tjera turistike të njohura në botë.
Më shumë se gjysma e turistëve të huaj, që vizitojnë Orlandon, janë nga Evropa, 24 përqind nga Kanadaja dhe pjesa tjetër nga Amerika e Jugut, Azia dhe Lindja e Mesme.
Danielë Kortni, punonjëse në zyrën e Orlandos për vizitorët dhe konventat, thotë se rënia e numrit të vizitorëve të huaj është shqetësuese për qytetin.
“Turistët e huaj përbëjnë një segment të rëndësishëm prej rreth 5 përqind të turizmit total, por 17 përqind të ndikimit tonë ekonomik. Ky është një segment shumë i rëndësishëm prandaj vizita në Shtetet e Bashkuara dhe mënyra si shikohet ky vend janë të rëndësishme për ne.”
Destinacione të tjera, si për shembull, Los Vegas kanë përjetuar një shtim të numrit të turistëve ndërkombëtarë. Ekspertët e turizmit thonë se numri i vizitorëve të huaj në këtë qytet u rrit nga 12 përqind në vitin 2005 në 13 përqind më 2006.
Por, sipas një studimi i kryer nga grupi lobist, Partneriteti për Zbulimin e Amerikës, pritja në shkallë kombëtare është negative.
Drejtori ekzekutiv i këtij grupi, Xhef Friman, thotë se rënia me 20 përqind e vizitorëve të huaj në Shtetet e Bashkuara që prej 11 shtatorit 2001 mund t’u atribuohet problemeve, me të cilat ndeshen vizitorët kur mbrrijnë këtu.
“Këtë javë ne dëgjuam për vonesa 3 orëshe për të kaluar nëpër doganë në Los Anxhelos. Kjo është e papranueshme. Përveç kësaj, anketat tona të opinionit tregojnë se vizitorët kanë më shumë frikë nga zyrtarët qeveritarë amerikanë sesa nga kërcënimi i terrorizmit apo krimit. Janë pikërisht këto lloj frikash apo perceprimesh që i shkurajojnë turistët e huaj të vijnë në Amerikë dhe është pikërisht ky problem që ne duhet të zgjidhim.”
Departamenti amerikan i tregëtisë thotë se më 2006-tën numri i përgjithshëm i vizitorëve ndërkombëtarë që vijnë në Amerikë u kthye në nivelet e para 11 shtatorit 2001. Por ky shtim erdhi kryesisht nga Kanadaja dhe Meksika. Numri i turistëve të huaj nga vende të tjera të botës pësoi rënie, megjithë rënien e vlerës së dollarit, që e bën më të favorshëm shkëmbimin monetar për të huajt.
Agjencia që mbikqyr kontrollin e pasagjerëve në portet amerikane, si ky në aeroportin ndërkombëtar të Hjustonit, nuk i pranon akuzat se mban përgjegjësi për rënien e numrit të turistëve të huaj. Agjencia amerikane për doganat dhe mbrojtjen e kufijve thotë se mbi 1 milion njerëz hyjnë çdo ditë në Shtetet e Bashkuara, prej tyre 250 mijë në aeroportet amerikane.
Në Shtetet e Bashkuara janë vënë në zbatim disa programe, që synojnë të përmirësojnë kushtet për udhëtarët e huaj.
Një program i filluar në janar të vitit 2006 synon të ndihmojë vizitorët që të njihen me dokumentat që kanë nevojë para se të arrijnë në Shtetet e Bashkuara dhe thjeshton procesin e doganave dhe të imigracionit. Një tjetër program përqëndrohet në përmirësimin e zonave të mbrritjes, stërvitjen e agjentëve të doganave dhe sigurimi i informacionit për udhëtarët.
Agjencia amerikane për doganat dhe mbrojtjen e kufijve po punon me industrinë e turizmit mbi mënyrat për ta përmirësuar sistemin. Por në Orlando, rënia e numrit të vizitorëve të huaj, veçanërisht nga Evropa dhe Azia, vazhdon të përbëjë shqetësim. Zyrtarët e turizmit shpresojnë gjithashtu se shtimi i reklamave mund të ndihmojë në ndryshimin e kësaj prirjeje. //kk//