Lidhje

Njerëzit e monumenteve


Ata ishin njerëzit, që gjatë luftës së dytë botërore kishin për detyrë të ruanin veprat e çmuara artistike. Në fillim të vitit 1943 Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre mësuan se Gjermania naziste kishte filluar konfiskimin e veprave të çmueshme të artit në mbarë Evropën. Si përgjigje ndaj kësaj, presidenti Franklin Delano Roosvelt themeloi komisionin amerikan për mbrojtjen dhe shpëtimin e monumenteve dhe veprave artistike në rajonet e luftës. Njerëzit që punonin në këtë komision filluan të njihen si njerëzit e monumenteve.

Dikur kishte mbi 350 njerëz të monumenteve. Tani vetëm 12 nga ta janë ende gjallë dhe katër prej tyre u nderuan në një ceremoni në kongresin amerikan. Kongresi u bëri nderime përpjekjeve të ushtarëve për të kthyer thesaret e rralla artistike të Evropës, të cilat nazistët i kishin vjedhur gjatë luftës së dytë botërore. Shkrimtari Robert Edsal është bashkautor i librit “Shpëtimi i Da Vincit”.

“Në një periudhë prej 6-7 vitesh, ata mundën të gjejnë mijëra vepra arti të fshehura dhe ti kthejnë ato në vendet nga të cilat ishin vjedhur. Ishin mbi 5 milionë vepra arti, libra, këmbana kishash nga katerdrale të mbarë Evropës. Kjo me të vërtetë ishte një arritje e madhe”.

Në vitin 1938, nazistët filluan konfiskimin sistematik të veprave të çmueshme të artit në Evropë, përfshirë këtu vepra të da Vinçit, Mikelanxhelos dhe Rembrandit. Në vitin 1944 ushtritë aleate, të cilat po çlironin rajonet e pushtuara, krahas me ta, edhe njerëzit e monumenteve, filluan kërkimin e këtyre veprave të vjedhura të artit. Një ndër pjesëtarët e grupit të kërkimit të monumenteve ishte edhe Harry Ettlenger.

“Detyra ime e parë ishte të lexoja letrat që ishin shkruar në gjermanisht dhe t’ia raportoja këto informata kapitenit, nën komandën e të cilit unë shërbeja”.

Për fat të mirë, nazistët kishin mbajtur shënime të hollësishme rreth veprave të vjedhura. Njerëzit e monumenteve, gjithashtu intervistuan njerëz të artit në vendet e pushtuara dhe oficerë të kapur nazistë. Bernard Taper kujton kërkimet për e koleksionin e Czartoriskit, të vjedhur nga Muzeu Kombëtar Polak.

“Ai ishte një koleksion i famshëm. Një vepër e Da Vincit, një portret i Rembrandit dhe vepra të tjera të mrekullueshme”

Zotit Taper i kujtohet kur gjeti veprën Portret i Një të Riu të Rembrandit. Detyra te tij e parë ishte të takohej me përfaqsuesin e artit nga Polonia dhe të bisedonte rreth kësaj vepre arti, se si kishte mundur të largohej nga Polonia, kush mund të ishte përfshirë në vjedhjen e saj, etj.

Koleksioni kishte rënë në duart e guvernatorit gjerman në Poloni, Hans Frank. Forcat e aleatëve gjetën shumicën e veprave të koleksionit polak në shtëpinë e tij, në Neuhaus të Gjermanisë, por një vepër e Rafaelit nuk është gjetur ende. Vlera e veprave të artit të shpëtuara nga Njerëzit e Monumenteve, llogaritet në rreth 1 trilionë dollarë. Sot, 60 vjet më vonë, puna e tyre u nderua me një rezolutë të miratuar në kongresin amerikan. //kk//

XS
SM
MD
LG