Lidhje

Ish gjenerali serb Gjorgjeviç në Hagë


Ish zëvendës ministri i brendshëm i Serbisë Vlastimir Djordjevic u transferua mbrëmë në qendrën e paraburgimit të gjykatës së Hagës. Gjenerali serb, i cili u arrestua dje nga policia malazeze, ka qenë në kërkim për më shumë se tre vjet që kur u akuzua për vrasje të shqiptarëve të Kosovës.

Vlastimir Djordjevic ka qenë zëvendës ministër i brendshëm i Serbisë dhe shef i Departamentit të sigurisë Publike nga viti 1997 deri në vitin 2001 si dhe këshilltar i ngushtë i ish presidentit jugosllav Slobodan Milosheviç. Nuk është caktuar ende data kur Djordjeviç do t’u përgjigjet akuzave kundër tij.

Është ky arrestimi i dytë në vetëm pak më shumë se dy javë i dy të kërkuarve nga Haga për luftërat në Ballkan në vitet 1990, duke lënë vetëm katër ende në kërkim, përfshi ish udhëheqësin e serbëve të Bosnjes Radovan Karadzic dhe gjeneralin e tij ushtarak Ratko Mladic.

Arrestimi i Zdravko Tolimirit më 1 qershor bëri që Bashkimi Evropian të rifillojë bisedimet paraprake të anëtarësimit me Serbinë që ishin pezulluar vitin e kaluar për shkak të dështimit të Beogradit për të kapur të dyshuarit për krime lufte. Refik Hodzic, zëdhënës i Gjykatës së Hagës tha se arrestimi i Djordjeviçit erdhi si rezultat i bashkëpunimit midis zyrës së prokurores së gjykatës dhe autoriteteve malazeze dhe serbe. Ai shtoi se shpreson që arrestimi i Djordjevic ishte një paralajmërim për katër të kërkuarit e tjerë pa arrestimin e të cilëve gjykata nuk do të jetë në gjendje të përfundojë me sukses mandatin e saj.

Vullneti së fundshmi i Beogradit për bashkëpunim në arrestime mund të tregojë se ditët e fshehjes së Mlladiçit – që besohet gjerësisht të tjetë në Serbi – po i afrohen fundit. Policia malazeze konfirmoi arrestimin në qytetin Budva duke thënë se Djordjevic fshihej aty me një identitet të rremë, kishte rritur mjekrrën dhe punonte si ndërtues. Kryeprokurorja e Hagës Carla Del Ponte kishte deklaruar kohët e fundit se Djordjevic fshihej në Rusi.

Për më shumë se një dekadë autoritetet serbe janë treguar jo të gatshme për të kapur të dyshuarit për krime lufte. Por trysnia e vazhdueshme ndërkombëtare bëri që së fundmi shumë të kërkuar të dorëzohen. Gjykata ka akuzuar 161 persona që nga krijimi i saj në vitin 1993.

Djordjevic së bashku me gjashtë zyrtarë të lartë të Serbisë, akuzohet të ketë planifikuar krimet në Kosovë gjatë gjysmës së parë të vitit 1999 përfshi shpërnguljen e detyruar të 800 mijë kosovarëve dhe vrasjen ne qindra të tjerëve. Gjashtë të dyshuarit e tjerë janë duke u gjykuar tashmë dhe përballen me burgim të përjetshëm në se shpallen fajtorë. Po në gjykim është edhe ish kryeministri i Kosovës dhe udhëheqësi i kryengritjes, Ramush Haradinaj që akuzohet për krime kundër serbëve. //rd//

XS
SM
MD
LG