Lidhje

Karla del Ponte kërkon shtyrjen e vendimit për statusin e Kosovës


Prokurorja e Gjykatës së Kombeve të Bashkuara për krime lufte Karla del Ponte i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit që të shtyjë marrjen e vendimit për të ardhmen e Kosovës derisa disa nga të kërkuarit kryesorë për krime lufte në Ballkan të arrestohen. Prokurorja ka vënë në dukje shtimin e bashkëpunimit të Serbisë për dërgimin në Hagë të disa prej të kërkuarve kryesorë për krime lufte.

Prokurorja Karla del Ponte thotë se dështimi për arrestimin e ish udhëheqësit serb të Bosnjës Radovan Karadziç dhe komandantit ushtarak Ratko Mlladiç është një njollë e përhershme në punën e gjykatës. Ndaj të dyve u ngritën padi 11 vjet më parë për gjenocid dhe krime lidhur me konfliktin e Bosnjës në vitet 1992-1995. Del Ponte i tha Këshillit të Sigurimit se Mladiç dhe Karaxhiç besohet se janë në Serbi ose aty ku Serbia ka kontroll.

“Paprekshmeria e vazhdueshme e gëzuar nga Ratko Mlladiçi dhe Radovan Karaxhiçi minon seriozisht të gjitha përpjekjet për vënien në vend të drejtësisë për viktimat. Kjo paprekshmëri gjithashtu minon seriozisht kredibilitetin e Gjykatës ndërkombëtare,” tha zonja del Ponte.

Por Prokurorja del Ponte i tha Këshillit se ka disa shenja inkurajuese në ndjekjen e Mlladiçit dhe Karaxhiçit, përfshirë edhe shtimin e bashkëpunimit të Beogradit me Gjykatën.

Në komentet për gazetarët pas fjalës para Këshillit të Sigurimit, zonja Del Ponte tha se përpjekjet për kapjen e të kërkuarve nga drejtësia janë në një fazë delikate dhe shprehu mendimin se mund të ishte e dobishme sikur Këshilli i Sigurimit të shtynte marrjen e vendimit për statusin e Kosovës derisa dy të kërkuarit të jenë në duart e Hagës.

"Do të ishte më mirë nëse vendimi për Kosovën nuk jepet tani, nëse ky vendim shtyhet, pasi mund të ndërhyjë në bashkëpunimin me Hagën. Ajo që theksova është shumë e qartë, vendimi duhet shtyrë deri sa Gjykatës së Hagës t’i jenë dorëzuar Mlladiçi, Karaxhiçi e të tjerë. Nuk po rekomandoj asgjë, vetëm po them se do të ishte më e dobishme për Gjykatën," tha kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës.

Diplomatët e Këshillit të Sigurimit konfirmuan një njoftim të një agjencie franceze lajmesh se po shqyrtohet një projekt-rezolutë që bën thirrje për një “periudhë qetësimi” në ritmet e procesit për të ardhmen e Kosovës. Një diplomat, i cili nuk ka autoritetin për të bërë komente publike, tha se periudha e kërkuar, ndoshta prej 120 ditësh, do të jepte mundësi për diskutime të mëtejshme mbi propozimin e të dërguarit të OKB-së për Kosovën, Marti Ahtisari, që Kosovës t’i jepet pavarësi e mbikqyrur. //ad//

XS
SM
MD
LG