I dërguari amerikan për çështjet bërthamore është në Korenë e Veriut në një vizitë të papritur dyditore, para fillimit të bisedimeve gjashtëpalëshe mbi programin bërthamor të Phenianit.
Ndihmës Sekretari i Shtetit Christopher Hill është zyrtari më i lartë amerikan që viziton Korenë e Veriut në pesë vjet. Ai u takua me zëvendës ministrin e jashtëm Kim Ki Kuan. Para nisjes nga Tokioja për në Phenian, zoti Hill tha se është e rëndësishme të fitohet koha e humbur për çështjen bërthamore. Në muajin shkurt Koreja e Veriut ra dakord të mbyllë objektin e saj kryesor bërthamor deri në mes të prillit. Megjithë shtyrjet lidhur me një mosmarrëveshje bankare që shkaktun shtyrjen e bisedimeve deri javën e kaluar, fondi prej 25 milionë dollarësh i bllokuar në një bankë të Makaut, u transferua përsëri në Phenian.
Në përgjigje, Korea e Veriut tha se do të presë inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore sipas marrëveshjes së arritur në shkurt. Por një diplomat koreanoverior tha sot në Vienë se fondet nga Makau nuk kanë mbërritur ende në Phenian. Ai tha se pa u realizuar transferimi i fondeve nuk do të caktohet data e vzitës së inspektorëve të agjencisë. Zoti Hill tha të martën se fondet ishin depozituar në një llogari të Koresë së Veriut në Rusi. Megjithatë, një burim diplomatik rus i tha agjencisë së lajmeve Itar-Tass sot se transferimi i fondeve do të përfundojë të premten. //rd//