Lidhje

Rusi: A do të jenë myslimanët një ditë shumicë?


Federata ruse po përjeton një transformim të madh demografik. Numri i popullësisë po bie me të paktën 700 mijë veta në vit, ndërsa popullata myslimane është rritur mesatarisht katër përqind në vit. Në materialin e mëposhtëm, korrespondentja e Zërit të Amerikës Jela de Franceschi i vedh një vështrim komplikacioneve që mund të sjellin këto ndryshime.

Sipas llogaritjeve të Kombeve të Bashkuara, popullësia e Rusisë prej rreth 140 milion banorësh mund të bjerë me një të tretën deri në vitin 2050. Shumë ekspertë thonë se një kombinim i rënies së lindjeve midis rusëve etnikë dhe një shtim i popullësisë në komunitetin mysliman mund të çojë në një shumicë myslimane në Federatën ruse nga mesi i shekullit.

Paul Goble, studiues në Universitetin Tartu në Estoni dhe autor i një libri të ri mbi Islamizmin në Rusi thotë se dekada e kaluar ka shënuar ndryshime të mëdha demografike në vend. “Tani ka më shumë myslimanë në Moskë sesa në Paris. Në Moskë ka rreth 2 milion e gjysëm deri tre milion myslimanë. Grupin e dytë më të madh në Moskë për shembull e përbëjnë azerbaixhanasit, mesatarisht një milion. Në Shën Petersburg ka rreth një milion ose 1 milion e 250 mijë myslimanë. Myslimanë ka në zona që nuk kanë qënë kurrë më parë”, thotë zoti Goble.

Kjo tendencë është pjesërisht pasojë e nivelit të lartë të vdekshmërisë tek rusët etnikë midis moshës 18 dhe 55 vjeçare. Meshkujt adoleshentë rusë po vdesin me një ritëm sikur të ishin në një zonë lufte e jo në një shoqëri moderne. Alkoolizmi, sëmundjet, aksidentet industriale janë në nivele shumë të larta. Kjo bën që numri i rusëve etnikë në Federatën ruse të bjerë me më shumë se një milion në vit.

Myslimanët në Rusi jetojnë në dy rajone gjeografikisht të mëdha: pranë Lumit Vollga që shtrihet në qendër të Federatës Ruse dhe në Kaukazin e Veriut. Shumë analistë theksojnë se myslimanët në rajonn e Vollgës kanë qënë qytetarë rusë për shekuj dhe janë në përgjithësi të moderuar nga ana fetare.

Por gjërat po ndryshojnë në Kaukazin Verior, veçanërisht në Çeçeni ku është kundërshtuar tradicionalisht shteti rus. Myslimanët çeçenë, thonë shumë analistë, ndjekin një version militant të Islamit. Disa ekspertë thonë se shumë rusë etnikë janë gjithashtu të shqetësuar nga ndikimi i myslimanëve të republikave të tjera sovjetike. Të tjerë, theksojnë se ortodoksët e krishterë rusë dhe grupet e tjera etnike jo-myslimane që jetojnë në komunitete me shumicë myslimane janë bërë objekt i një trysnie në rritje.

Mikhail Delyagin punon për qendrën Carnegie të Moskës. “Në shumë rajone të Rusisë ka patur një pastrim eknik. Dhe në disa rajone të tjera kjo po ndodh edhe tani. Popullata jo-myslimane po largohet nga këto zona. Do të duhen përpjekje nga ana e qeverisë në radhë të parë për të zhvilluar rajonet dhe për t’i integruar ato”. Por Peter Reddaway i Universitetit George Uashington thotë se qeveria ruse ka filluar të shtypë aktivizmin islamik me ligje që mbrojnë ortodoksët e krishterë. “Vitet e fundit, qeveria e presidentit Putin është përpjekur të zhvillojë një ideologji gati-nacionaliste. Ajo ka rritur tolerancën për nacionalistët ekstremë dhe grupet ksenofobe në Rusi. Armiqësia e myslimanëve të Rusisë nga shtetit rus deri tani ka qënë kryesisht e kufizuar në Kaukazin Verior dhe është e lidhur me luftën në Çeçeni për 13 vitet e fundit. Por kjo armiqësi ka filuar të përhapet edhe në pjesët e tjera myslimane të Rusisë”.

Disa analistë argumentojnë se transformimet demografike në Rusi mund të kenë implikime ndërkombëtare afat-gjata dhe përbëjnë një sfidë serioze për Perëndimin.

Studiuesi Paul Goble është i shqetësuar se radikalët islamikë mund të fitojnë mbështetje politike në Rusi kur myslimanët të bëhen shumicë. Zoti Goble dhe shumë ekspertë të tjerë thonë se Perëndimi duhet të inkurajojë Kremlinin të integrojë myslimanët në shoqërinë ruse dhe të sigurojë se feja dhe të drejtat e njeriut respektohen. Dështimi për të bërë një gjë të tillë, paralajmërojnë ekspertët, ka të ngjarë të çojë në paqëndrueshmëri politike në Federatën Ruse. //rd//

XS
SM
MD
LG