Lidhje

Irak: Vazhdojnë sulmet vetëvrasëse me viktima të shumta


Një atentator vetvrasës shkaktoi 12 viktima, përfshi të paktën katër udhëheqës fisnorë suni, në një hotel të Bagdatit, njëri nga një seri sulmesh në shpërthimet vdekjeprurëse sot në Irak.

Udhëheqësit fisnorë u vranë ndërsa po zhvillonin një takim jozyrtar në Hotelin Mansour në qendër të Bagdatit. Ata ishin anëtarë të një shoqate që lufton al-Kaidën.

Hoteli ka siguri të fortë dhe përdoret nga disa organizata perendimore të lajmeve. Aty ka selinë edhe ambasada kineze në Bagdat.

Dëshmitarët thanë se autori i sulmit hyri në lobin e hotelit dhe aktivizoi brezin me eksploziv.

Në sulme të tjera sot, një vetvrasës me autobombë që ngiste një kamion me karburant vrau të paktën 15 persona në një stacion policie në qytetin verior të Baijit.

Tetë persona u vranë kur një vetvrasës sulmoi në afërsi të zyrave të guvernatorit në Hila, një qytet me shumicë shiite në jug të Bagdatit.

Në qytetin e Mosulit, shpërthimi i një autobombe vrau të paktën një person.

Po sot ushtria amerikane tha se një ushtar amerikan u vra në luftime me armë të vogla zjari në Bagdat, ndërsa një ushtar tjetër vdiq nga plagët e mara të shtunën në kryeqytetin irakian. //ze//

XS
SM
MD
LG