Lidhje

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut ndryshon përkatësinë partiake


Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Majkëll Bllumberg shkaktoi debate të shumta politike javën e kaluar me vendimin e tij për t’u larguar nga Partia Republikane dhe për t’u bërë i pavarur. Lëvizja e zotit Bllumberg ka nxitur spekullime se ai mund të hyjë në garën presidenciale si kandidat i pavarur vitin e ardhshëm. Zoti Bllumberg është mjaft i njohur në Nju Jork, por jo shumë i njohur në pjesën tjetër të Amerikës. Por ka disa ekspertë politikë që besojnë se idetë e tij konservatore për buxhetin, e kombinuar kjo me pikëpamjet më liberale për aspektet sociale, mund të tërheqë votuesit e qëndrës në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Në një konferencë shtypi kohët e fundit, zoti Bllumberg këmbënguli se ka në plan të përfundojë mandatin e tij të dytë si kryetar i bashkisë së Nju Jorkut që përfundon në vitin 2009.

Por ai duket se la të hapur mundësinë e përfshirjes në politikë në nivel federal, në të ardhmen.

“Kam besim se ky vend do të ketë mundësi. Mendoj se sa më shumë njerëz të hyjnë në garën presidenciale, aq më mirë,” tha ai.

Anketat e fundit të opinionit publik për momentin tregojnë se një pjesë e madhe e amerikanëve besojnë se vendi është në rrugën e gabuar dhe se shumë njerëz janë të lodhur nga grindjet politike që kanë dominuar vitet e fundit në Uashington.

Zoti Bllumberg thotë se një nga shqetësimet e tij kryesore është se çështjeve të rëndësishme, si reforma e sistemit të pensioneve dhe mbrojta e mjedisit, u janë dhënë pak vëmendje për shkak të luftës politike në Washington.

“Nuk mendoj se po i zgjidhim këto çështje. Jam veçanërisht i shqetësuar se çështjet e mëdha të kohës po lihen pas dore dhe po përqëndrohemi në gjëra të vogla që janë të rëndësishme vetëm për Washingtonin.”

Këshilltari politik në Nju Jork, Xhozef Mercurio thotë se vendimi i zotit Bllumberg për ta paraqitur veten si i pavarur mund të krijojë bazën për një palë të tretë, për garën për në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2008.

“Mendoj se është shumë e qartë se ai po i mban mundësitë e hapura për të hyrë në garë si kandidat për president. Ai e bëri këtë pasi ka disa shtete që kërkojnë të mos jesh as demokrat e as republikan kur kërkon nënshkrimin e peticioneve për të kandiduar si i pavarur.”

Në se vendos të hyjë në garë si i pavarur, zoti Bllumberg ka të ngjarë më shumë të përpiqet të tërheqë grupin e madh të votuesve të pakënaqur në mesin e spektrit politik që mendojnë se dy partitë kryesore politike janë shumë të politizuara.

Zoti Bllumberg mund të përdorë gjithashtu pasurinë e tij të konsiderueshme, prej miliarda dollarësh, për të financuar fushatën për në Shtëpinë e Bardhë.

Disa demokratë janë të shqetësuar se një kandidaturë e pavarur për president nga zoti Bloomberg do të tërheqë votat demokrate dhe do të ndihmojë republikanët në zgjedhjet e nëntorit 2008.

Historia e fundit e kandidatit presidencial të një partie të tretë sugjeron se zoti Bllumberg do të marrë përsipër një sfidë të madhe, në se vendos të hyjë në garë.

Kandidati i pavarur Ross Perot mori 19 përqind të votave në garën e vitit 1992, garë që u fitua nga Bill Clinton ndaj presidentit të atëhershëm George Bush. Por zoti Pero nuk arriti të merte asnjë nga votat e kolegjit elektoral, që në fund të fundit janë përcaktueset për fituesin e zgjedhjeve. //ze//

XS
SM
MD
LG