Lidhje

Politika amerikane ndaj të ndaluarve objekt kritikash të ashpëra


Politika e administratës së Presidentit Bush për të dyshuarit si terroristë ka patur disa disfata ligjore kohët e fundit. Por megjithë kritikat e publikut dhe disa sprapsje, admistrata nuk heq dorë nga politikat e saj kundërthënëse. T’i hedhim një vështrim ndalimit të terroristëve, gjashtë vjet pas sulmit që u bë shkak për këto politika.

Menjëherë pasi al-Qaida përplasi dy avionë në Qendrën Botërore të Tregtisë më 11 shtator 2001, Presidenti Bush e bëri të qartë se si i shikonte sulmet.

"Sulmet e qëllimshme dhe vdekjeprurëse, që u kryen dje kundër vendin tonë ishte më tepër se sa sulme terroriste. Ato ishin akte lufte”.

Por kjo deklaratë e prerë u dha shkas politikave të reja kundërthënëse për izolimin e personave të dyshuar si terroristë, qoftë të arrestuar brenda vendit qoftë jashtë tij, në qendra ku ata nuk ishin as robër lufte dhe as të pandehur. Në fakt atyre iu vu etiketa “luftëtarë të paligjshëm të armikut”.

Shumë prej tyre u dërguan në një objekt të ngritur në në bazë ushtarake amerikane në Gjirin Guantanamo të Kubës, pa patur të drejtë ta sfidojnë ndalimin e tyre në gjykatat civile amerikane.

Në qoftë se të ndaluarit do të gjykoheshin, ata duhet të nxirreshin para një komisioni ushtarak, ku do të kishin më pak mbrojtje ligjore se sa në një gjykatë tradicionale.

Ish ndihmësi i Prokurorit të Përgjithshëm, Xhan Ju, është kryearkitekti i politikës së ndalimit të administratës Bush. Ai thotë se kushtet e kohës së luftës kërkojnë norma të tjera ligjore për të dyshuarit për terrorizëm.

”Kur dëgjon pretendime se gjithkush në Gjirin Guantanamo ose të gjithë luftëtarët e armikut duhet të kenë avokat dhe të drejtën për ta sfiduar ndalimin e tyre në gjykatan civile, do të thotë që të transferosh nocionet civile të drejtësisë në sistemin ushtarak”.

Avokati Juxhin Fidell, president i Institutit për Drejtësinë Ushtarake thotë se terrorizmi është krim dhe duhet të trajtohet si çdo krim tjetër.

"Mendimi im personal është që gykatat e qarqeve, gjykatat federale, kanë peshën kryesore në sistemin tonë ligjor dhe ne nuk duhet të mbështetemi në sisteme të tjera ligjore”.

Debati lidhur me hetimin e terroristëve ka qënë i ashpër dhe është përqendruar në çështjen e përkufizimit të torturës. David Rivkin ka shërbyer në Departamentin e Drejtësisë gjatë administratave të presidentëve Regan dhe Bush. Ai mbështet pretendimet e administratës se Shtetet e Bashkuara nuk e ushtrojë torturën. Por ai është në favor të një lloj procesi hetimor.

Por avokati Bret Mikam, që përfaqëson disa nga të ndaluarit në Guantanamo, thotë se klientët e tij ishin torturuar në një qendër amerikane ndalimi në Afganistan, para se të transferoheshin në Gjirin Guantanamo.

Xhan Jo thotë se ka patur raste keqtrajtimesh të të ndaluarve, por këmbëngul se këto raste nuk përbëjnë politikë qeveritare.

Ciladoqoftë e vërteta, Juxhin Fidell thotë se përshtypja e krijuar për politikën amerikane ndaj të të ndaluarve, ia ul vlerën kritikave të Uashingtonit për abuzimin e të drejtave të njeriut në vende të ndryshme të botës.

Çështjet që kanë të bëjnë me të ndaluarit dhe trajtimin e të dyshuarve për terrorizëm janë duke u shytruar nga gjykatat. Siç vë në dukje Xhan Ju, administrata e Presidentit Bush ka humbur disa çështje nga gjykatës skeptikë.

Por ndërkohë, që vendimin përfundimtar pritet ta marrë Gjykata e Lartë, të ndaluarit vazhdojnë të mbahen në izolim pa ditur se cila do të jetë e ardhmja e tyre. //iç//

XS
SM
MD
LG