Lidhje

Gordon Braun, Kryeministri i ri i Britanisë së Madhe


Gordon Brown u bë kryeministri i ri i Britanisë, duke i zënë vendin zotit Tony Blair. Megjithëse zoti Brown ka qenë në qendër të politikës britanike gjatë dekadës së fundit, shumë njerëz nuk mund të thonë me siguri se çfarë duhet të presin prej tij si udhëheqës i vendit dhe i Partisë Laburiste në fuqi.

Ai ka qenë ndër lojtarët kryesorë në politikën britanike gjatë 10 viteve të fundit.
Si ministër i financave, ai përgjigjej për ekonominë e vendit. Por si njeri, Gordon Brown, mbetet ende një enigmë.

I lindur pranë Glasgout në Skoci, ai u rrit si biri i një prifti protestant. Kur ishte adoleshent, Brown-i hyri në partinë e majtë laburiste dhe shkoi në Universitetin e Edinburgut për të studiuar histori. Atje ai ishte anëtar i këshillit studentor dhe mori doktoratën.

Në vitin 1983, Brown-i fitoi një vend në parlament dhe punonte në të njëjtën zyrë me politikanin e sapozgjedhur laburist, Tony Blair. Së bashku, ata e nxorën partinë nga shkretëtira politike, siç shprehet biografi politik Anthony Seldon.

"Është një marrëdhënie e jashtëzakonshme, të tillë nuk ka patur ndonjëherë në politikën britanike 100 vjetët e fundit. Ata kanë qenë mjaft krijues, së bashku ata e bënë Partinë Laburiste një forcë të madhe në politikën e vendit. Ata e sollën atë në pushtet dhe punuan nga afër me njëri tjetrin por pastaj u prishën, kështuqë mes tyre ka sa dashuri aq edhe urrejtje."

Në vitet e para, Brown-i qendroi në prapaskenë duke drejtuar ekonominë, ndërsa meritat i merrte zoti Blair. Thuhet se ata kishin bërë një marrëveshje: zoti Blair do të dorëzonte pushtetin pas pesë vjetësh. Por, gjithnjë sipas të thënave, kur erdhi koha, zoti Blair nuk pranoi dhe miqësia e tyre pësoi krisje.

Viti 2000 solli martesën e Brown-it, i cili njihet si njeri mjaft i dhënë pas punës.
Lindja e dy djemve ndihmoi për të zbutur imazhin e tij.

Sidoqoftë, ekonomia është karta e tij më e fortë. Në valixhen e kuqe, të njohur si kutia e buxhetit, ndodhen planet e shpenzimeve vjetore të ministrit të financave. Si miqtë edhe armiqtë i njohin atij meritën për stabilitetin ekonomik të vendit.

Ai është i famshëm për maturinë e tij fiskale dhe kjo i ka dhënë imazhin e një skocezi serioz dhe të zymtë.

"Ai natyrisht nuk e ka karizmën e Tony Blair-it por kjo jo patjetër është gjë e keqe."

"Ai duhet ta provojë veten për një numër çështjesh, për shembull në çështjen e luftës në Irak, pra si do të shkojë kjo luftë. Dhe kjo mund të ndikojë shumë në opinionin pro ose kundër tij".

Zoti Brown thotë se siguria dhe terrorizmi janë sfidat më të mëdha ndërkombëtare. Shumë analistë mendojnë se Iraku do të jetë sfida më e madhe për të. Ai e ka pranuar se në Irak janë bërë gabime.

Beteja tjetër e madhe për të do të jetë ndeshja me udhëheqësin e opozitës, David Cameron. Disa e quajnë Cameron-in trashëgimtar politik të Blair-it duke thënë se ai imiton karakterin rinor dhe karizmën e Blair-it në vitet e tij të para si kryeministër.

"The question on how the battle, the new battle between Gordon Brown on the one hand and David Cameron on the other, the Tory leader, is going to go -- not a single journalist, not a single member of parliament is able to put any money on who is going to win." "It is going to be one of the most open political races that we have had in this country for the last 15 years."

Për të konkurruar me sukses, Brown-i po përpiqet të ndryshojë imazhin e tij të sertë, megjithëse ai vetë thotë se ajo që i mungon në stil kompensohet tek ai me substancë.

Kur të vijë koha e zgjedhjeve, ai do të ketë shërbyer si kryeministër për dy vjet. Dhe do të jetë radha e votuesve për të vendosur nëse atyre u pëlqen apo jo ky politikan i matur dhe i rezervuar në jetën private. //iç//

XS
SM
MD
LG