Lidhje

Mjedisi – preokupim gjithnjë e më i madh për njerëzit në botë


Një numër në rritje njerëzish në botë thonë se çështjet e mjedisit janë kërcënimi më i madh për njerëzimin. Në këto përfundime arrin anketa e organizuar nga Qendra Kërkimore Pew me projektin e saj të ashtuquajtur Qendrimet Globale. Këtu përfshihen mendimet e 45 mijë njerëzve në 46 vende të botës plus territoret palestineze.

Presidenti i Qendrës Kërkimore Pew, Andrew Kohut thotë se anketa e këtij viti arrin në përfundimin se problemet e mjedisit janë shqetësimi më i madh për një numër në rritje njerëzish në shumë vende të botës.

"Nga vendi në vend, ajo që del më tepër në pah është se sot në botë ka më shumë njerëz se sa nxirrte anketa e vitit 2002 të cilët përmendin mjedisin si problemin global numër një. Shqetësimet janë shtuar sidomos në Amerikën Latine, në Evropën Lindore dhe kudo në Lindjen e Largëme, në Kinë, Japoni, Korenë e Jugut dhe Indi. Një përqindje shumë më e madhe njerëzish thonë sot se kërcënimi kryesor ndaj planetit tonë janë problemet e mjedisit."

Brazili, Argjentina, Franca dhe Venezuela dëshmojnë për rritjen më të madhe të këtyre shqetësimeve, midis 20 dhe 30 përqind. Vende të tjera ku vihet re rritje e shqetësimeve për mjedisin përfshijnë Perunë, Gjermaninë, Bullgarinë, Indinë, Britaninë, Japoninë, Sllovakinë, Shtetet e Bashkuara, Ugandën dhe Poloninë.

Kohut thotë se si rrjedhojë e rritjes së shqetësimeve për mjedisin, Shtetet e Bashkuara, që janë një ndër ndotësit më të mëdhenj të botës, po pësojnë rënie përsa i përket imazhit në sytë e opinionit botëror.

"Shtetet e Bashkuara fajësohen sot se po dëmtojnë mjedisin botëror më shumë se çdo vend tjetër që përmendej në anketë."

Përveç mjedisit, thotë zoti Kohut, shumë njerëz në Afrikë thonë se janë gjithashtu të shqetësuar për çështjen e përhapjes së armëve bërthamore, për kërcënimin e sëmundjeve si sida dhe për hendekun mes vendeve të pasura dhe të varfëra.

Bashkëkryetarja e Projektit Pew dhe ish sekretarja amerikane e shtetit Madeleine Albright tha se nuk e habit fakti që gjithnjë e më shumë njerëz po i marrin seriozisht kërcënimet ndaj mjedisit.

"Kjo vjen kryesisht për faktin se njerëzit pom fillojnë të shikojnë efektet e ngrohjes globale në sigurinë dhe në jetën e tyre të përditëshme."

Ajo thotë se shtimi i shqetësimeve globale i jep komunitetit ndërkombëtar një shans për një bashkëpunim më të madh.

"Nëse shikoni kërcënime të tilla si mjedisi, përhapja e armëve bërthamore, sëmundjet apo terrorizmi, këta janë të gjithë kërcënime që kërkojnë bashkëpunim."

Kohut thotë se kjo është seria e parë e të dhënave që publikohen në kuadrin e Projektit Pew të Qendrimeve Globale për vitin 2007. Të dhënat e tjera do të publikohen gjatë muajve të ardhshëm të këtij viti. //ii

XS
SM
MD
LG