Lidhje

Takimi mes presidentëve Bush dhe Putin synon uljen e tensioneve


Presidenti Bush ka ftuar homologun e tij rus, Vladimir Putin për një takim në shtëpinë e pushtimit të familjes Bush në Kenebunkport të shtetit Maine. Takimi, që do të zhvillohet në një vend të qetë, buzë brigjeve të Atlantikut, synon uljen e tensioneve mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Por cili është këndvështrimi i Rusisë në pritje të takimit?

Në edicionin e së premtes të gazetës ruse Izvestia, i kushtohet mbi gjysmë faqe jo vetëm takimit Bush-Putin, por edhe ndikimit që do të ketë mbi bisedimet, vendi që është zgjedhur për zhvillimin e tij.

Artikulli në fjalë, i shoqëruar me fotografi të shtëpisë së pushimit të familjes Bush, citon presidentin e parë Bush, të ketë thënë se ish zonja e parë Barbara Bush, i ka thënë djalit të saj, presidentit të tanishëm Bush, të mos i verë këmbët mbi tavolinë.

Ky detaj, është përdorur për të sugjeruar se shtëpia e pushimit është një territor neutral, ndryshe nga ferma në Teksas e presidentit, apo rezidenca presidenciale e pushimit në Kemp Devid, në shtetin Mariland, pranë Uashingtonit. Izvestia shkruan më tej se dy mjediset e fundit e kanë ezauruar tashmë imazhin e tyre pozitiv, ashtu si marrëdhëniet amerikano-ruse kanë marrë një kthesë negative.

Aleksandër Kramçekin, i Institutit të Moskës për Analiza Politike dhe Ushtarake, thotë se dy presidentët do të përpiqen të parandalojnë keqësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve.

“Asnjë prej presidentëve, për shkak edhe të lidhjeve personale, nuk dëshiron t’i prishë plotësisht marrëdhëniet amerikano-ruse. Deri kohët e fundit, thotë ai, marrëdhëniet personale midis presidentëve Bush Putin kanë qënë të mira.”

Një prej përparësive kryesore të takimit pritet të jetë plani amerikan për vendosjen e një sistemi mbrojtës nga raketat në Poloni dhe Republikën Çeke. Uashingtoni thotë se sistemi synon të ofrojë mbrojtje nga një sulm i mundshëm nga Irani. Kremlini thotë se sistemi paraqet kërcënim për sigurinë e Rusisë. Analisti Kramçekin thotë se një shqetësim i tillë tani, mund të jetë i pabazë, por shton se sistemi mund të konvertohet në të ardhmen në një instrument sulmi kundër Rusisë. Analisti po ashtu hedh dyshimin se udhëheqësit e Kremlinit mund të jenë duke e përdorur çështjen e raketave për interesa të tyre pushteti.

“Çështja thotë ai, është kthyer në një mjet propagande. Me fjalë të tjera, Rusia do të heshtë për raketat tuaja, kur ju të heshtni për demokracinë e saj.”

Demokratizimi i Rusisë paraqet shqetësim për Uashingtonin. Zyrtarë të lartë amerikanë, kanë kritikuar trysninë që ushtron Kremlini ndaj organizatave jo-qeveritare, shtypit të pavarur dhe partive politike.

Një çështje tjetër që pritet të diskutohet gjatë takimit është ajo e Kosovës. Uashingtoni mbështet planin ndërkombëtar që i jep Kosovës pavarësi të mbikqyrur. Moska, aleate tradicionale e Serbisë, është kundër. Disa analistë thonë se Kremlini kërkon të shmangë krijimin e një precedenti, që mund ta shfrytëzonin rajonet ruse që dëshirojnë pavarësi.

Në se ndonjë prej këtyre çështjeve do të arrijë të zgjidhet në takim, është e paqartë. Gazeta Izvestia shkruan se takimi është planifikuar jo aq për të zgjidhur problemet, se sa për të ulur tensionet rreth tyre. Analisti Kramçekin thotë se në këtë klimë marrëdhëniesh jo të mira mes dy udhëheqësve, vetë fakti që ata po takohen, mund të konsiderohet si sukses. //kk//

XS
SM
MD
LG