Lidhje

“Lista e Karlës”: Sa e vështirë është të vesh në vend drejtësinë


Filmi dokumentar "Carla's List – Lista e Karlës” trajton temën se sa e vështirë është të vesh në vend drejtësinë kur bëhet fjalë për çështje ndërkombëtare. Dokumentari përshkruan punën e kryeprokurores së Gjykatës së Hagës, Karla del Ponte për të gjetur, arrestuar dhe nxjerrë para drejtësisë personat e fundit të akuzuar për krime në ish Jugosllavi. Ky është njëri ndër dokumentarët e paraqitur në Festivalin e Filmit të organizatës Human Rights Watch në qytetin e Nju Jorkut.


Në njërën prej skenave të hapjes, dokumetari u tregon shikuesve skena nga fillimi i gjyqit të Sllobodan Millosheviçit në vitin 2002. Prokurorja Carla Del Ponte qendron përpara Millosheviçit dhe thotë se gjyqi ëhtë provë e drejtësisë ndërkombëtare në veprim.

"Krimi i gjenocidit, krimet kundër njerëzimit nuk janë çështje lokale dhe ndjekja e tyre mund t’i kalojë caqet e ligjeve të një vendi. Sidomos kjo gjykatë jep demonstrimin më të fuqishëm se askush nuk është mbi ligjin ose përtej sferës së drejtësisë ndërkombëtare."

Nga kjo pikë, shikuesit kanë rastin të ndjekin zikzaket e punës së del Pontes, ku ka suksese por edhe shumë zhgënjime. Dokumentari përqendrohet në përpjekjet e saj për të gjetur dhe arrestuar 6 persona në kërkim por tre prej tyre janë më kryesorët: Ish gjenerali i ushtrisë kroate Ante Gotovina, ish shefi ushtarak i serbëve të Bosnjes Ratko Mlladiç, dhe ish udhëheqësi i serbëve të Bosnjes Radovan Karaxhiç janë akuzuar nga Gjykata për krime kundër njerëzimit dhe ende nuk janë kapur.

Këshilltari politik i del Pontes Jean-Daniel Ruch, thotë se kërkesat për të arrestuar personat e akuzuar për krime lufte hasnin në një terren politik mjaft delikat. I tillë ishte rasti Gotovina.

Regjisori i filmit, Marcel Schupbach, thotë se ky dokumentar nuk është një portret i Carla Del Pontes por një përshkrim i punës së saj të vështirë për të informuar dhe kërkuar ndihmë nga autoritetet ndërkombëtare. Filmi përfshin periudhën korrik-dhjetor 2005 dhe përshkruan konferencat e saj të shtypit, takimet me zyrtarët politikë, udhëtimet e saj të shumta. Del Ponte dhe ekipi i saj udhëtojnë në Hagë, në Ballkan, në kryeqytete të shumta europiane, në Uashington dhe në Nju Jork.

Gjatë një bisedime me del Ponten pas shfaqjes së premierës së dokumentarit, ajo tha se gjysmën e kohës e shpenzon duke informuar qeveritë dhe pastaj për t’i bindur ato që të veprojnë. Ajo e pranon se kjo është punë mjaft acaruese por se ajo ka nevojë për mbështetje politike.

"Unë nuk kisha një polici gjyqësore për të ekzekutuar kërkimin ose urdhërarrestin për të akuzuarit. Mua më duhet t’i kërkoj një shteti ta bëjë këtë dhe për ta realizuar më duhet ndihma e komunitetit ndërkombëtar."

Disa herë këto përpjekje janë shpërblyer, thotë del Ponte. Si në rastin e Gotovinës. Në fillim të dhjetorit 2005 ai u arrestua dhe dokumentari ka fiksuar një moment triumfi të Karla del Pontes.

"Ante Gotovina është arrestuar. Ai u ndalua sonte në Spanjë dhe është tani në gjendje arresti. Më në fund ai do të transferohet në Hagë."

Por zhgënjimi i del Pontes ndaj komunitetit ndërkombëtar nuk fshihet aspak nga filmi. Një javë pas arretimit të Gotovinës, ajo është në Nju Jork për t’i shprehur zhgënjimin e saj Këshillit të Sigurimit. Ajo u thotë anëtarëve të këtij këshilli se fakti që palët e interesuara nuk shkëmbejnë informacion po ia pengon punën:

"Përgjithësisht nuk shkëmbehet informacion me aktorët e tjerë dhe padyshim as me zyrën time. Për pasojë, ne nuk mund të krahasojmë burimet dhe faktet gjë që do të na lejonte të bënim përparim për gjetjen e vendndodhjes së Karaxhiçit dhe Mlladiçit."

Mandati i prokurores del Ponte mbaron në shtator të këtij viti. Por ajo thotë se do të përpiqet deri në minutën e fundit duke u bërë presion vendeve ballkanike, kryeqyteteve europiane dhe Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar në arrestimin e të akuzuarve të fundit. //ii

XS
SM
MD
LG