Lidhje

ZMQ: Partitë po shkelin Kushtetutën me bisedimet për presidentin


Në Tiranë, Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve shprehu sot shqetësim për negociatat e pafrytshme që po bëhen mes PD dhe PS për kandidimin e presidentit të ri të Shqipërisë.

Drejtuesi i kësaj organizate të njohur joqeveritare, Kreshnik Spahiu, deklaroi se partitë po shkelin Kushtetutën në emër të shmangies së zgjedhjeve të parakohshme me negociata në tryeza jashtë Parlamentit.

Ai tha që, nëse parlamenti është i paaftë të zgjedhë presidentin në përputhje me Kushtetutën, do të ishte më e drejtë që ai të shpërndahej.

Ndërkohë që bisedimet dypalëshe midis pozitës dhe opozitës kanë mbetur në pikën se cila nga palët do të propozojë presidentin e ri të vendit, Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve protestoi sot kundër këtyre bisedimeve, duke i quajtur ato si precedentë të rrezikshëm për funksionimin e parlamentit shqiptar.

Përfaqësues të kësaj organizate të njohur joqeveritare deklaruan sot se Kushtetuta e Shqipërisë nuk mund të shkelet në mënyrë të përsëritur vetëm e vetëm për të shmangur zgjedhjet e parakohshme, të cilat, sipas tyre, do të ishin më të moralshme se sa bisedimet që po mbahen në Kuvend në shkelje të ligjit themelor të shtetit.

Drejtuesi i Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve, Kreshnik Spahiu tha në një konferencë se për vendin do të ishte më mirë të kishte zgjedhje të parakohshme se sa politikanët të shkelin Kushtetutën.

"Parlamenti e ka shmangur dhe e ka cenuar procedurën dhe afatin kushtetues nëpërmjet negociatash jashtë institucionit të parlamentar, ndaj paaftësinë e vet për të zbatuar Kushtetutën, Parlamenti duhet ta paguajë me shpërndarje dhe zgjedhje demokratike që e forcojnë këtë institucion" - tha zoti Spahiu.

Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve ju referua nenit 88 të Kushtetutës, sipas të cilit, procedurat për zgjedhjen e presidentit duhet të fillojnë 30 ditë para mbarimit të mandatit të presidentit aktual.

"Edhe më parë Kuvendi është treguar qëllimisht i paaftë për të zbatuar Kushtetutën, sic ka qenë rasti i zgjedhjeve vendore që u dekretuan në 20 janar u shtynë për në 18 shkurt, ndaj vëren që nëse presidenti i ri do të zgjidhet me shkeje të ligjit, kjo do të jetë një kosto politike shtesë për vendin në 5 vjetët e ardhshëm" - thotë zoti Spahiu.

Opozita ka vendosur si parakusht në bisedimet me Partinë Demokratike tërheqjen e zotit Bamir Topi nga kandidimi për këtë post, ndërsa thotë se mbetet në pritje të emrave që do të propozohen nga socialistët. Ndërkaq LSI, aleatja kryesore e PS bëri të ditur se do të presë deri të hënë aleancën opozitare që të dalë me një kandidat të përbashkët, në të kundërt më tej do të veprojë si e pavarur për këtë cështje në Parlament./al/

XS
SM
MD
LG