Lidhje

Presidenti Bush dhe Presidenti Putin kërkojne një gjuhë të përbashkët për sistemin e mbrojtjes nga raketat


Presidenti amerikan Xhorxh Bush dhe Presidenti rus Vladimir Putin thonë se po përpiqen të gjejnë gjuhën e përbashkët lidhur me çështjen e mbrojtjes nga raketat. Gjatë bisedimeve në shtëpinë e pushimeve të familjes Bush në shtetin Mejn, dy udhëheqësit u përpoqën të gjejnë mënyra për të zgjidhur mospajtimet e thella mes tyre lidhur me këtë çështje.

Udhëheqësit ende nuk kanë arritur pajtim në pikëpamjet e tyre mbi sistemin e mbrojtjes nga raketat. Të dyja palët janë treguar të gatshme ta zgjidhin çështjen dhe të dalin me një plan të pranueshëm nga të gjithë. Presidenti Bush synon të vendosë pjesë të një sistemi të mbrojtjes nga raketat në Republikën Çeke dhe Poloni për t’u mbrojtur nga sulmet nëse armë bërthamore bien në duart e vendeve të papërgjegjshme.

Rusia e kundërshton vendosjen e sistemit në këto vende. Në takimin e fundit të Grupit të Tetëshes në Gjermani, Presidenti Putin propozoi përdorimin e një sistemi radarësh paralajmërues të periudhës sovjetike që ndodhet në Azerbajxhan. Në Kenibankport, ai ngriti idenë e përfshirjes së një sistemi radarësh në Rusinë jugore dhe foli mbi nevojën për konsultime të mëtejshme ndërmjet Moskës dhe Natos. Presidenti rus u shpreh se nuk ekziston më nevoja për ngritjen e objekteve në Republikën Çeke dhe Poloni.

Presidenti Bush e kundërshtoi këtë pikëpamje, por tha se ia vlen të merren në konsideratë idetë e reja të paraqitura nga udhëheqësi rus.

"Mendoj se propozimi është shumë i sinqertë dhe novator. Mendoj se është një propozim strategjik. Por siç i thashë Vladimirit, mendoj gjithashtu se Republika Çeke dhe Polonia duhet të jenë pjesë përbërëse e këtij sistemi," tha zoti Bush.

Presidenti Bush foli gjithashtu për bashkëpunimin ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë lidhur me Iranin. Ai tha se të dyja vendet janë të shqetësuara nga synimet bërthamore të Teheranit, duke mos u kushtuar rëndësi në këtë mënyrë mospajtimeve ndërmjet Moskës dhe Uashingtonit për zgjidhjen më të mirë të problemit:

"Ne nuk kemi probleme me popullin iranian, por me regjimin që po i bën sfidë normave ndërkombëtare," tha Presidenti amerikan.

Presidenti Bush dhe Presidentit Putin zhvilluan një konferencë për shtyp në bregun shkëmbor të shtetit Mejn në brigjet e Oqeanit Atlantik. Ata folën me një ton të ngrohtë që pasqyronte atmosferën jozyrtare të takimit. Të dy ishin veshur këmisha, pa xhaketa dhe i drejtoheshin njëri-tjetrit me emër duke theksuar shtimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të tyre.

Presidenti Bush iu përgjigj pyetjes nëse tensionet e viteve të fundit me Moskën, e kanë dëmtuar besimin e tij tek Presidenti Putin:

"Ju më pyesni nëse i besoj? Po, i besoj. Por a më pëlqejnë të gjitha ato që thotë? Jo! Por kam përshtypjen se edha atij nuk i pëlqejnë të gjitha ato që them unë," tha zoti Bush.

Presidenti Bush tha se është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të ruajnë marrëdhënie të forta me Rusinë. Udhëheqësi rus theksoi evolucionin e këtyre marrëdhënieve që pas rënies së Bashkimit Sovjetik:

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, tha zoti Putin, nuk e shohin më njëra-tjetrën nga syri i pushkës, duke shtuar më pas “ne nuk jemi më armiq për njëri-tjetrin.” //ad//

XS
SM
MD
LG