Lidhje

Shqipëri: Vazhdojnë debatet për zgjedhjen e presidentit


Parlamenti shqiptar rifilloi pasdite në Tiranë një seancë plenare të ndërprerë mbrëmjen e kaluar ku pritet që të votohet për presidentin e ri të vendit.

Edhe sot partitë politike dhe ndërmjetësuesit e tyre erdhën pa asnjë zgjidhje konkrete lidhur me kandidaturat e pranuara me mirëkuptim nga palët. Partia Demokratike dhe ajo Socialiste vazhdojnë të bëjnë thirrje për bashkëpunim e mirëkuptim dhe po me të njëjtin këmbëngulje vazhdojnë të rrëzojnë kandidaturat që paraqiten nga secila palë.

Në mungesë të mirëkuptimit mes dy partive më të mëdha, Partia Demokrate e Re i kërkoi me anë të një letre kryetares së parlamentit Jozefina Topalli që të mbledhë konferencën e kryetarëve, për t'i bërë thirrje deputetëve që kush ka ndërmend të kandidojë për deputetë të mbledhë firmat e kolegëve dhe të paraqesë kandidaturën për president.

Tritan Shehu i PDR-së tha se administrata e parlamentit duhet të bëjë zero dy seancat e mëparshme që formalisht ishin për të zgjedhur president, por ku nuk u mbajt një proces votimi. Sipas juristëve të parlamentit, seanca e sotme është raund i tretë votimi për president, pas të cilit duhet të ketë vetëm dy seanca votimi në balotazh mes kandidatëve më të fortë. Por juristë dhe deputetë të tjerë mendojnë që, meqenëse në dy seancat e para nuk u votua, ato nuk mund të regjistrohen si seanca votimi.

Megjithë negociatat disajavore PS-PD, parlamenti ende nuk ka regjistruar asnjë kandidat zyrtar për president, as me mirëkuptim dhe as pa mirëkuptim të palëve. //rd//

XS
SM
MD
LG