Lidhje

Dik Çejni, një nga nënpresidentët më të fuqishëm në historinë amerikane


Dick Cheney konsiderohet si nënpresidenti më i fuqishëm në historinë amerikane. Ai ishte një nga arkitektët kryesorë në luftën kundër terrorizmit dhe në luftën e Irakut dhe sipas njoftimeve të fundit ka luajtur një rol të rëndësishëm në përcaktimin e politikës së brendshme.

Dick Cheney ka sjellë në postin e nënpresidentit një përvojë të gjerë. Ai ka qenë shef i personelit, kongresmen dhe sekretar i mbrojtjes kur president ishte George Herbert Walker Bush dhe e di se si funksionon Uashingtoni. Kjo mund të jetë arsyeja që kur kandidoi për president në vitin 2000, George Bush zgjodhi atë si kandidat për nënpresident. Stephen Hess është ekspert në Institutin Brookings. “George Bush, që nuk kishte përvojë në shkallë kombëtare pasi e gjitha ajo ishte si guvernator i një shteti, zgjodhi Dick Cheneyn pikërisht në sajë të përvojës së tij të gjerë në këtë drejtim, si shef personeli i presidentit Ford, sekretar i Mbrojtjes dhe si kongresmen i fuqishëm në Dhomën e Përfaqësuesve. Kështu që e zgjodhi sepse e dinte se si funksiononte Uashingtoni”. Kushtetuta amerikane nuk përcakton ndonjë rol konkret për nënpresidentin, përveçse të drejtojë senatin dhe të hedhë votën e tij vendimtare kur votat janë ndarë në mënyrë të barabartë.

Por zoti Cheney është veçanërisht me ndikim dhe i fuqishëm. Ja ç’thotë Norman Ornstein i Institutit American Enterprise: “Janë disa tipare të rëndësishme të Dick Cheneyt. Së pari, ai është një burokrat jashtëzakonisht i zgjuar dhe luftarak. Përvoja e tij e ka mësuar se si të manovrojë, se si t’i realizojë ato që do dhe si të evitojë ato që nuk duhet të ndodhin. Është një njeri me përvojë dhe i mençur, me bindje të forta që ka vendosur t’i praktikojë këto bindje në sa më shumë aspekte”. ...aspekte si lufta në Irak, marrja në pyetje dhe trajtimi i të dyshuarve terroristë dhe përzgjedhja e kandidatëve për Gjykatën e Lartë.

Marrëdhëniet personale mes Presidentit Bush dhe nënpresidentit janë të panjohura. Por ja si i përshkruan ato zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Dana Perino: “Unë mendoj se presidenti e sheh nënpresidentin si një këshilltar shumë të afërt dhe të besuar, si dikë që vepron në interes të vendit”. Por një përpjekje e zotit Cheney për të mos përfillur një urdhër ekzekutiv për informacionet sekrete ka shkaktuar kritika. Reputacioni i tij u dëmtua gjithashtu pasi ndihmësi i tij kryesor Lewis Scooter Libby u shpall fajtor për dëshmi të rreme në një çështje që ka të bëjë me CIA-n.

Megjithatë, përsa kohë që vazhdon të gëzojë besimin e Presidentit, Dick Cheney duket se do të vazhdojë ndikimin mbi levat e pushtetit në Washington.

XS
SM
MD
LG