Lidhje

"Sex and the City", së shpejti në ekranin e kinemave


Sipas njoftimeve të revistës Variety, kompania New Line Cinema po bashkëpunon me producentët e serialeve të televizionit kabllor për të krijuar një variant të serialit Sex and the City që do të shfaqet në ekranin e madh.

Pritet që puna për krijimin e variantit filmik të fillojë në vjeshtë. Revista njofton se protagonistet e serialit, Sarah Jessica Parker, Kim Cattrall, Kristin Davis dhe Cynthia Nixon do të luajnë që të gjitha rolet që kanë patur në serial. Michael Patrick King do të jetë regjisor i filmit mbi bazën e skenarit të shkruar nga ai vetë.

Dashamirët e serialit Sex and the City kishin kohë që shpresonin të shihnin variantin në ekranin e madh pas përfundimit të serisë televizive në vitin 2004.

Ky variant ishte pothuajse gati për tu xhiruar dy vjet më parë, por pastaj marrëveshja u prish për shkak se Candace Bushnell, mbi shënimet autobiografike të së cilës bazohet seriali, vendosi të mos pranojë pagesën që iu ofruan. Ajo tha se donte të paguhej pothuajse sa aktorja kryesore Sarah Jessica Parker. Tani siç duket këto probleme janë zgjidhur, njofton revista Variety. //rd//

XS
SM
MD
LG