Lidhje

Boeing gati me Dreamliner-in 787


Më 8 korrik kompania Boeing do të paraqesë avionin më të ri të pasagjerëve në 13 vjet, Dreamliner 787. Ai thuhet të jetë avioni më i avancuar teknologjikisht dhe më i kërkuari ndonjëherë. Boeing ka tashmë më shumë se 600 porosi për avionë nga 45 kompani, që kapin shifrën e gati 100 miliardë dollarëve. Çfarë e bën këtë avion kaq të veçantë? Boeing thotë se Dearmliner 787 do të ndryshojë mënyrën e fluturimit.

Kompania Boeing e ka vënë të ardhmen e saj në duart e Dreamliner-it të ri 787. Ndryshe nga seria e avionëve gjigandë si Airbus A-380 që mban 550 pasagjerë, 787 është më i vogël. Dreamliner është ndërtuar për të mbajtur 330 pasagjerë dhe të mund të ulet në aeroporte rajonalë. Ai është më i lehtë, i bërë nga kryesisht nga materiale plastike. Randy Tinseth i Boeing-ut thotë se Dreamliner 787 ka atë që kërkon si publiku ashtu edhe industria e avionëve. “Ne po kërkojmë të arrijmë 20 përqind përmirësim në efektivitetin e karburantit që përdorin sot avionët, duke sjellë një kosto më të mirë për të lejuar kompanitë të vazhdojnë të nxjerrin fitime. Dhe për pasagjerët po ofrojmë një eksperiencë të re, dritare më të mëdha, korridore dhe karrige më të gjera, vend më të bollëkshëm për bagazhet, ndriçim të ri për t’u qetësuar më mirë si dhe ajër më të pastër”.

Guy Norris është gazetar për revistën Aviation Weekly. Ai thotë se planet për 787 filluan rreth 10 vjet më parë kur kompania kishte humbje të mëdha financiare dhe vonesa të prodhimit. Ai thotë se Boing ndryshoi procesin e prodhimit duke kaluar rreth 70 përqind të punës tek gati 50 kompani partnere. "Tani 10 vjet më vonë shohim rezultatin e këtij ndryshimi. Ata prodhojnë këtë avion me teknologjinë e shekullit të 21të, ne një sistem prodhimi që mund të prodhojë avionë në numra rekordë dhe me fitime rekord".

Konkurrenti më i madh i Boeing-ut, Airbus-i mund të jetë në dizavantazh sot por nuk qëndron pasiv. Ai po ndërton një gjeneratë të re avionësh. Barbara Kracht e Airbu-it thotë se në një industri që rritet me 4 presje 8 përqind në vit, ka treg për të dy gjigantët e hapësirës. “Boeing 787 është padyshim një produkt i mrekullueshëm por ne kemi tani tipin 330 dhe 350-ën në dekadën e ardhshme. Kështu që konsumatorët e duan konkurencën nga e cila përfitojnë të gjithë”, thotë Kracht.

Ndërsa shitjet për Dreamliner 787 janë në rritje dhe e ardhmja e Boeing-ut duket premtuese, shqetësimet megjithatë ekzistojnë. Vonesat e paparashikuara të prodhimit do të ulin fitimet dhe avioni ende nuk i ka provuar krahët e tij në qiell. //rd//

XS
SM
MD
LG