Lidhje

Shtatë mrekullitë e reja të botës zgjidhen me internet dhe celular


Rreth 100 milionë persona votuan përmes Internetit dhe telefonave celularë për 7 mrekullitë e reja të botës, mes së cilave Muri i Madh kinez, Koloseu i Romes, rrënojat inkase në Maçu Piçu, në Peru. Aktori britanik Ben Kingsley dhe aktorja amerikane Hillary Swank i shpallën fituesit në një ceremoni që u zhvillua mbrëmë në Lisbonë. Organizatorët thonë se kjo ngjarje e shumëpritur u ndoq nga rreth 1,6 miliardë teleshikues nga mbi 170 vende të botës. Gara për 7 mrekullitë e reja të botes u shpall ne vitin 1999 dhe ne te u paraqiten 21 objekte, të përzgjedhura nga një juri e përbërë nga arkitektë të njohur. Tre nga mrekullitë ishin në Amerikën Latine.

Në Romë turistët mbushën dje Koloseun, një nga pikat më tërheqëse turistike për vizitorët. Koloseu ishte amfiteatri më i madh i ndërtuar gjatë perandorisë Romake dhe një mrekulli e arkitekturës së lashtë romake. Ai tërheq rreth 4 milionë vizitorë në vit.

Në Indi, festime spontane përfshinë qytetin e Agrës, sapo u mor vesh që monumenti i shekullit të 17-të Taj Mahali bënte pjesë në listën e re. Njerëzit lëshuan fishekzjarrë, borhoritën dhe vallëzuan.

Në Chichen Itza të Meksikës, guvernatorja e shtetit të Yucatanit, Ivonne Ortega filloi festimes sapo mori vesh lajmin.

“Mayat sollën fat për ne, banorët e Yucatanit, por tani ne duhet të përfitojmë duke i dhënë hov zhvillimit ekonomik të vendit, tha ajo.

Njerëzit pritën për rezultatet në temperaturat prej 40 gradësh dhe filluan festimet sapo i morën vesh ato.

Në Peru, mijëra vendas dhe turistë u mblodhën në Plaza de Amas del Cuzco për të dëgjuar lajmin se qyteti i lashtë kështjellë i Machu Picchus ishte një prej të zgjedhurve.

Në Rio de Janeiro, të Brazilit festimet nuk ishin aq të bujshme pas njoftimit që Statuja e Krishtit ishte zgjedhur si një nga mrekullitë e botës. Megjithatë Sekretari i Turizmit i Brazilit ndërpreu koncertin Live Earth në plazhin e Copacabanës duke e deklaruar atë para 120 mijë personave.

Qyteti i lashtë shkëmbor Petra në shkretëtirën e Jordanisë kumbonte nga festimet, ndërsa mbërriti lajmi. Farouk al Hadidi, sekretari i përgjithshëm në departamentin jordanez të turizmit tha se kjo ishte një nga pikat turistike më të rëndësishme të Jordanisë dhe botës arabe.

“Ne jemi shumë të lumtur dhe shpresojmë që gjithkush të vijë në Petra dhe të shikojë këtë mrekulli të re të botës”.

Në Kinë, Muri i Madh, një nga strukturat më të mëdha të ndërtuara nga njeriu në botë, ishte mbushur sot plot me turistë.

Muri i Madh kinez është një varg gurësh dhe shkëmbinjsh që është ndërtuar, rindërtuar dhe mirëmbajtur nga shekulli i pestë para erës sonë deri në shekullin e 16-të për të mbrojtur kufijtë veriorë të Perandorisë Kineze gjatë sundimit të dinastive të njëpasnjëshme.

Në listë nuk arritën të përfshihen Akropoli i Athinës, Kulla Eifel e Parisit dhe Kremlini i Moskës.//kk//

XS
SM
MD
LG