Lidhje

Maqedonia preferon Kosovën e pavarur sesa status-kuonë


Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Antonio Milloshoski i tha dje Zërit të Amerikës se gjendja e status-kuosë në Kosovë nuk mund të vazhdojë dhe se në Kosovë do të ketë pavarësi në një mënyrë apo në një tjetër. Zoti Milloshovski ishte për një vizitë në Shtetet e Bashkuara me ftesë të Sekretares së Shtetit Condoliza Rajs.

Po ta shikojmë çështjen me realizëm, tha ministri i jashtëm i Maqedonisë, shanset janë se në një formë ose në një tjetër do të ketë pavarësi të Kosovës. Shpresojmë se ky qendrim do të jetë i favorshëm për qendrueshmërinë e Maqedonisë ndonëse mund ta zemërojë palën serbe. Maqedonia, tha zoti Milloshoski, ka një urë të mirë me Beogradin të këto vite mbi baza të shëndosha. Gjatë viteve të fundit, tha ministri i jashtëm, Maqedonia ka filluar të ndërtojë marrëdhënie të suksesshme edhe me Prishtinën. Maqedonia dëshiron që të dyja këto marrëdhënie të vazhdojnë të jenë funksionale.

Mesazhi ynë për komunitetin ndërkombëtar, tha zoti Milloshoski, është se ne preferojmë më mirë statusin për Kosovën se sa status-kuonë. Status-kuoja mund të jetë një burim më i madh paqëndrueshmërie dhe me më shumë rreziqe. Maqedonia, tha ministri i jashtëm Milloshoski, nuk është vendi që përcakton statusin e ardhshëm të Kosovës, por si vend fqinj dëshiron t’i dërgojë Beogradit mesazhe inkurajuese që të shfrytëzojë rastin për të shkuar drejt integrimit euro-atlantik, duke e ditur se zhvillimi ngjarjeve po shkon drejt një objektivi të caktuar. Nga ana tjetër, tha zoti Milloshoski, për miqtë në Prishtinë dëshirojmë ta bëjmë të qartë, se ndonëse disa herë fjala pavarësi mund të marrë tone euforike, në Ballkan, sidomos në këtë rast të veçantë, nuk mund të flitet për pavarësi klasike. Mes vendeve ballkanike, tha ai, do të ketë një ndërvarësi të madhe ku secili të tregojë se është në gjendje të punojë me fqinjët. //rd//

XS
SM
MD
LG